Përpara mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, kreu i kësaj partie Sali Berisha ka folur shkurtimisht për gazetarët duke ju përgjigjur interesimit për disa zhvillime të fundit brenda selisë blu dhe koalicionit të udhëhequr prej tyre.

Berisha ka thënë se po mendon për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 11 Majit.

Sa i përket deklaratave të deputetit të PD Dashnor Sula që tha se nuk do të jetë në listat e deputetëve edhe pse në primaret e partisë doli më i votuari në Qarkun Elbasan, Berisha u shpreh se pasi të miratohet lista, z.Sula mund të ndryshojë qëndrim.

Në lidhje me largimin sot nga koalicioni të një prej partive aleate, Sali Berisha përmendi tradhtinë.

A keni një arsye pse më të votuarit nuk janë në listë të sigurt?

Sali Berisha: Janë! Disa prej tyre.. Të miratohet lista, se nuk është miratuar. Nuk më shkon të nxjerr unë listën kur nuk është miratuar.

Në qarkun e Elbasanit, ju më të votuarin nuk do e keni as kandidat?

Sali Berisha: Ajo nuk dihet, e thua ti.

E ka deklaruar vetë.

Sali Berisha: Ai deklaron por pastaj mund të ndryshojë mendim.

Ka një ide publike që ju më shumë se sa për 11 Majin po mendoni për 12 Majin.

Sali Berisha: E vërteta është për qeverinë. Po mendoj për qeverinë pas 12 Majit.

Do jepni dorëheqjen në rast se humbni zgjedhjet?

Sali Berisha: Unë po them që po përgatis qeverinë e ardhshme, ti më thua…

Po largohen edhe aleatët, një prej partive aleate ka deklaruar që do shkojë drejt PS, ka dhënë dorëheqjen nga koalicioni juaj.

Sali Berisha: Sa ç’është i vjetër njeriu, është edhe tradhtia. Nuk ke ç’i bën.

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian deklaroi sot se është larguar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” e udhëhequr nga Partia Demokratike.

Ky koalicion, me largimin e kësaj force, tashmë përbëhet nga 25 parti.

/tvklan.al