Presidenti i Federatës Polake të Futbollit, Cezary Kulesza vizitoi “Shtëpinë e Futbollit”, ku u prit nga kreu i FSHF Armand Duka. Ai inspektoi nga afër qendrën stërvitore të ekipit kombëtar, terrenet stërvitore, ambientet e brendshme të administratës dhe muzeun dhe u njoh me historinë e futbollit shqiptar. Presidenti Cezary Kulesza theksoi se futbolli shqiptar po ecën në drejtimin e duhur.
“Jam në Federatën Shqiptare të Futbollit për herë të parë. Shikoj që futbolli shqiptar po zhvillohet! Nuk dua të kthehem pas te ndeshjet historike mes Polonisë dhe Shqipërisë, e dimë që ekipi Kombëtar shqiptar është i forte! U kualifikuat në Kampionatin Europian për herë të parë në vitin 2016-të, pritët 5 ditë për të mësuar nëse do të avanconit në fazën me eliminimit direkt, por për shkak të kundërshtarëve dhe ekipeve që kishin shënuar më shumë gola, u eliminuat, nga renditja e vendeve të treta. Kështu që shohim që futbolli shqiptar po ecën në drejtimin e duhur dhe shpresoj që të vazhdojë kështu!”
Gjatë takimit, u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit mes dy federatave, me fokus në shkëmbimin e eksperiencave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta për të ardhmen.
Klan News