Prej datës 3 Mars, një nga stabilimentet më të mëdha të mbarështimit të shpendëve për vezë në Durrës, është vënë në karantinë nga Ministria e Bujqësisë, për shkak të infektimit të pulave dhe zogjve nga gripi i shpendëve H5N1.
Sipas drejtoreshës së Politikave Veterinare, Matilda Xhepa, deri më tani janë asgjësuar mbi 100 mijë shpendë, por procesi po vijon gradualisht pasi ato nuk po groposen, por po digjen, për një siguri më të madhe.
Xhepa tha se po vijohet me kontrollet, por deri më tani nuk ka dyshime për infektime në ferma të tjera, me përjashtim të disa pulave oborri, brenda rrezes prej 10 km nga stabilimenti i cili është në karantinë.
Influenca aviare është një sëmundje shumë ngjitëse dhe sjell dëme të mëdha në shpendari, ndërsa përhapja e tij vjen nga shpendët e egra.
Ministria e Bujqësisë deri më tani ka nxjerrë 23 urdhra për ndalimin e importit të shpendëve, vezëve, mishit dhe nënprodukteve të tjera nga shumë shtete për shkak të përhapjes së influencës aviare.
Klan News