The Plein Hotel, marka e njohur e stilistit me famë botërore Philipp Plein, e përuruar vetëm pak muaj më parë në Milano, ka zgjedhur Tiranën si qytetin e parë për t’u zgjeruar jashtë Italisë.
I pranishëm vetë në Tiranë, Philipp Plein prezantoi investimin që do të realizohet në bashkëpunim me kompaninë shqiptare që operon në fushën e pronave të patundshme, X One shpk, e drejtuar nga Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, të cilët kanë nisur punën për ndërtimin e projektit ambicioz në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial.
“Ju s’duhet të shkoni më në Dubai apo në Miami. Ju s’duhet të shkoni më në Milano për të vizituar Plein Hotel, ju e keni këtu në qendër të Tiranës”, tha Plein.
Për sipërmarrësit e X One Shpk, ky projekt e fut Tiranën në hartën e qyteteve më të njohura në botë, me këtë investim luksoz.
“Tashmë edhe Tirana ka zonën e modës. Tirana do të jetë si Parisi, Londra, Milano, me rezidencën Philip Plein”, tha Ylli Ujka.
“Ky projekt do të jetë më uniku në Europë”, tha Çesk Ivanaj.
Projekti përfshin një hotel me 5-yje që do të mbajë emrin “The Brand Hotel” me 150 dhoma, 100 rezidenca për një klientelë të zgjedhur, një lokal me emrin Philipp’s, një restorant japonez ‘Sukaru Ba’ dhe një klub ekskluziv ‘Crystal Beach’, të gjitha sipas modelit të testuar tashmë me sukses nga “The Plein Hotel” i Milanos.
Tv Klan