Një nga probemet më madhore, më të cilën vendi po përballet aktualisht dhe që rrezikon ta çojë Shqipërinë drejt zgjedhjeve të parakohshme, është zgjedhja e presidentit të ri, i cili duhet të betohet më 24 korrik, për t’i zënë vendin presidentit aktual, Alfred Moisiu.
Kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar në “Opinion Plus” në një intervistë të fokusuar te kriza presidenciale në Shqipëri. Berisha gjithashtu vijoi me akuzat kundër Prokurorit të Përgjithshëm në Shqipëri, Theodhori Sollaku, duke e cilësuar si problemin më madhor në luftën kundër korrupsionit në vendin tonë dhe elementin më të rrezikshëm shqiptar.
“Natyrisht një proces kushtetues zhvillohet në parlament. Ky proces është në përputhje me frymën, gërmën dhe normën e Kushtetutës. Erdhi si një proces i detyruar, të jem i sinqertë, sepse Parlamenti është i detyruar të ushtrojë detyrimin kushtetues dhe zbatimin e saj në zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ne ramë dakord për një president konsensual, por që nuk u pranua kërkesa ime nga opozita, që krahas votimit për presidentin të votohej edhe ligji për largimin e prokurorit Sollaku, pengesë absolute në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Kërkesa e dytë ishte të ndryshohet Kushtetuta në mënyrë që presidenti tjetër të zgjidhet nga qytetarët shqiptarë dhe jo nga ne. Në tryezë mendoj se u arrit një rezultat i madh shumë, u arrit të pranohej një emër, një personalitet nga fusha e ushtrisë për President Republike, por nuk u arrit të largohej mbi bazën e shkurtimit të mandatit, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, i cili është me mandat të përjetshëm. Ai është elementi më i rrezikshëm sot në Shqipëri. Unë doja t’ju hiqja nga detyra shqiptarëve një njeri që është bërë problem më madhor dhe bllokuesi kryesor në luftën kundër korrupsionit në këtë vend. Tryeza, e cila përzgjodhi presidentin konsensual, nuk e përzgjodhi sipas tagrit kushtetues. Kjo është një praktik e trashëguar dhe e dështuar, siç është e dështuar përpjekja për ta zgjedhur nga populli. Unë i kam shprehur edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, që nuk e kam problem të bashkëjetoj me një president të të gjithë spektrit, mjafton vetëm që të jetë burrë ose grua e lirë, e palidhur me krimin”, u shpreh Kryeministri Berisha./tvklan.al