Pas publikimit të kësaj video ku shihen disa dosje të ngarkohen në një prej makinave të Bashkisë së Tiranës, Sali Berisha doli në një konferencë për mediat duke hedhur akuza për asgjesim të dokumenteve në disa prej institucioneve shtetërore që implikojnë zyrtarët socialistë.
“Ajo që patë sot në Bashkinë e Tiranës është vetëm maja e ajsbergut. ka ndodhur siç është paralajmëruar në Këshillin e Ministrave në ministritë dhe agjencitë e Lubi Ballukut, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Brendshme, një përpjekje e tmerrshme e ethshme për t’u fshehur me djegie dhe grisjes dokumentesh. Siç e patë mbrëmë, qytetarët e Tiranës shprehën një shqetësim të madh, por pati edhe të tjerë që bënë humor, u inaugurua ‘inceneratori i Tiranës’”, tha Berisha.
Kryedemokrati bëri thirrje për ndalje të djegies dhe zhdukjes të dokumenteve duke paralajmëruar këdo që bëhet pjesë e këtij akti.
“Stop djegies se dokumenteve, zhdukjes se tyre dhe zbrazjes me shpejtësi të arkivave të dikatereve. Të mos harrojnë se, gjurma digjitale do të gjendet edhe në hënë”, tha Berisha.
Erjon Veliaj e akuzoi se prej dy javësh qëndron në burg me porosi të tij, por Sali Berisha iu kundërpërgjigj me padi për mashtrim.
“E informoj Erion Veliajn dhe publikun se, ai nesër do të denoncohet për mashtrim publik dhe shihen modalitetet që kësaj dosje t’i bashkohet edhe dosja e Griseldës, e cila nuk mund t’i harrohet”, tha ai.
Kryeministrin e ftoi të distancohet nga ky akt i kryebashkiakut, për të provuar që edhe ai nuk qëndron pas sulmeve të prokurorëve e gjyqtarëve të SPAK-ut.
“Të denoncojë këtë akt manipulativ e mashtrues nëse nuk është në bashkëpunim me të, sepse qarkullojnë lajme se në atë njoftim edhe Edi Rama ka pjesën e tij, ndaj urgjentisht të qartësojë pozicionin e tij.”
Thirrjen e rektorit të universitetit të Kamzës në mbledhjen e grupit parlamentar e sheh në vazhdën e veprimeve të kryeministrit për grusht shteti dhe kontroll të drejtësisë.
“Vazhdim i grushtit të shtetit. E nisën me rrethimin e gjykatësve tani vazhdojnë të bëjnë dëgjesa publike për vendimet e gjykatës, tregojnë që Rama është i vendosur të kontrollojë çdo mandat arresti në shqip”, tha Berisha.
Nuk heq dorë nga shkrirja e Spak-ut teksa thotë se pas ardhjes në pushtet do i japë fund drejtësisë politike si në kohën e diktaturës.
Tv Klan