Enkelejd Alibeaj sapo është dekretuar Ministër i Drejtësisë, por emërimi i tij ka qenë suprizë, pasi nuk i takonte grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Ministri Alibeaj ishte i ftuar në emisionin “Opinion Plus”, nga ku foli për postin e tij në ri dhe arsyet se përse kryeministri Berisha e përzgjodhi si Ministër Drejtësie.
“Drejtësia është vërtetë sektor i vështirë, por që janë vështirësi besoj të kapërcyeshme nga një bashkëpunim i të gjitha palëve. Drejtësia nuk ka përbërë ndonjëherë dhe nuk besoj se do të përbëjë ndonjëherë argument politik, në të cilin palët të kapen fort dhe të varin shpresat e tyre elektorale. Është arsye mbi palët sepse është vërtetë një plagë për shoqërinë, që do të thotë që të gjitha shtresat e shoqërisë, si ato që japin drejtësinë ashtu dhe ato që pësojnë jo drejtësinë, tashmë kanë kuptuar që ka ardhur një moment që duhet për hir të disa interesave më të larta se palëve politike ose partiake, t’i japin fund këtij kalvari të mosbërjes së sistemit. Besoj se kjo do të jetë një arsye që do të ulë gjakrat dhe do të arrijë që në një moment palët të bëjnë një pakt të madh për shqiptarët”, u shpreh Alibeaj.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se si ndihet me këtë titull të ri, ministri i Drejtësisë tha: “Periudha e surprizës më ka kaluar, që në Shqipëri zgjat jo më shumë se 3 ditë. Tani ka filluar periudha që më duhet të perceptoj dhe besoj se kam filluar ta perceptoj peshën e përgjegjësisë, dimensionet e saj dhe të futem me shpejtësi në ritmin e punës”.
Sipas ministrit Alibeaj, mosha e tij nuk është e re duke e krahasuar me traditën juridike në Shqipëri, e cila është shumë herë më e vogël se mosha e tij. Në krye të tre posteve kyçe të drejtësisë gjenden tre persona në moshë të re, të cilët gëzojnë reputacion të lartë profesional në fushën e juridikut.
Lidhur me komunikimin e vendimit të kryeministrit për t’i besuar këtë post, ministri Alibeaj shpjegoi: “Në momentin që kryeministri Berisha më komunikoi këtë lloj vendimi, ishte konsultuar me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë që në vend të ministrit të dorëhequr të caktohesha unë. Ka qenë një komunikim i shkurtër. Një stepje emocionale të momentit sigurisht që e kisha. Me kryeministrin kam pasur kontakte dhe biseda pothuajse të përditshme, disa herë edhe 2 herë në ditë. Unë fillova t’i shpjegoja një nga punët e përditshme që kisha, por dola nga zyra me propozimin dhe besimin nga ana e kryeministrit që unë do të kryeja me sukses një detyrë të tillë. Unë si shumë juristë e mendoj gjithmonë veten në postin e atij që do të mund të ndryshojë diçka në sistem, i cili përfshin shumë degë edhe perfikerike të këtij sistemi të madh dhe sigurisht kur të jepet një mundësi e tillë për të bërë sado pak për këtë është një rast i mirë. Të gjithë juristët kanë gjithmonë ide të pashtershme se si mund të bëhet sistemi, a funksionojnë apo jo është tjetër gjë. Në momentin kur të jepet një rast real duhet të fillosh të ridimensionosh konceptet dhe kjo të jep një lloj stepje emocionale të momentit”.
Ministri i ri i Drejtësisë foli për familjen, shkollimin dhe karrierën e tij juridike. Alibeaj gjithashtu tregoi si angazhua pranë Partisë Demokratike, si dhe raportin e tij me kryeministrin Berisha. /tvklan.al