Von Der Leyen do të shohë nga afër gjendjen në kufi
Forcat greke të sigurisë së kufirit po bëjnë ç’është e mundur për të dekurajuar dyndjen e refugjatëve sirianë drejt vendit të tyre, pasi Turqia i hapi portat për ta. Pamjet tregojnë momentet kur forcat detare qëllojnë pranë një varke me refugjatë në afërsi të ishullit Lesbos për t’i detyruar të kthehen pas.
Ministri i brendshëm turk Sulejman Sojllu tha se deri më tani, në kufirin tokësor turko-grek janë grumbulluar mbi 130 mijë refugjatë, një shifër tepër e lartë.
Deri më tani, autoritetet greke po e përballojnë të vetme situatën dhe kanë përdorur edhe gazin lotsjellës për t’i mbajtur refugjatët larg kufirit. Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan akuzoi palën greke për përdorimin e armëve, ndërsa ia vuri fajin Bashkimit Europian për gjithë këtë situatë.
“Nëse qindra mijëra janë dyndur në porta, kjo ndodh sepse Bashkimi Europian nuk e mbajti premtimin. Për më tepër, vrasja e dy refugjatëve dhe plagosja e një tjetri nga ushtria greke, ka ndikuar negativisht në këtë proces”.
Me kërkesë të Greqisë, këtë javë ministrat e Jashtëm të BE-së do të mblidhen për të diskutuar situatën.
Tv Klan