“Kjo është puna e prokurorisë, frytet e prokurorisë së pavarur. Zbatimi i ligjit, reforma në drejtësi, këto janë rezultatet”, kështu u shpreh paraditen e kësaj të premteje kryeprokurori Olsian Çela, i pyetur për arrestimet në kuadër të operacionit “Mezhgorani”.
35 persona përfunduan në pranga nga ky operacion, hetimet për të cilin nisën 6 muaj më parë. Në të morën pjesë shërbimet e Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH-në, nën drejtimin dhe bashkëpunimin me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Përmet.
Të arrestuarit akuzohen për disa vepra penale si “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” ‘’Falsifikimi i kartëmonedhave”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Si rezultat i të njëjtit operacion, 12 persona u proceduan penalisht ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim. /tvklan.al