Komiteti i Stabilizim-Asocimit miratoi rekomandimin për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Eurodeputetja Monica Macovei tha se rekomandimet parashikojnë një listë pikash, që duan përmbushur deri në hapjen e negociatave, për të cilat u ra dakord që të mos ketë një datë konkrete.
Monica Macovei, eurodeputete:
Do jetë një listë me kushte para se të shkohet te hapja e negociatave. Paragrafi i tretë ishte sugjerim i zotit Bumçi, ku i bëhet thirrje autoriteteve shqiptare që të marrin të gjitha masat për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, të zbatojë tërësisht ligjin për dekriminalizimin dhe të luftohet kultivimi dhe trafiku i drogës.
Ne takim pati përplasje mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës për amendamentet e demokratëve, të cilat u rrëzuan dhe nuk u përfshinë në deklaratën përfundimtare.
Aldo Bumçi, deputet i PD:
Nuk ka deklaratë të përbashkët kur nuk ka konsensus. Amendamentet tona u rrëzuan, ndërkohë që aprovuam amendamentin në mbështetje të hapjes së negociatave dhe të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kur reformat tê jenë zbatuar dhe të jenë tê pakthyeshme.
Të mërkurën, Komisioni Europian pritet të rekomandojë hapjen me kusht të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian./ TV KLAN