Eduard Kukan, raportues në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian thotë se vendi i opozitës është në parlament, ku ka një rol të rëndësishëm për të luajtur. I pyetur nga Tv Klan, Kukan shprehet se bojkoti i parlamentit nuk është zgjidhje për problemet e vendit.
“Do të përsëris kur të them se parlamenti është një institucion ku opozita ka vendin e saj dhe rol të rëndësishëm për të luajtur. Prandaj, nuk mendoj se bojkoti i ardhshëm i parlamentit është përgjigja e problemeve me të cilat ballafaqohet vendi. Shqipëria ka shumë politikanë me përvojë, të cilët tashmë e dinë se si të zgjidhin krizat politike”.
Kukan shprehet i shqetësuar për përshkallëzimin e situatës politike në Shqipëri, kur sipas tij, vendi ndodhet në një situatë kritike, ndaj ai apelon.
“Unë jam i shqetësuar për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve politike, në kohë kaq kritike për vendin. Gjithmonë i qëndroj mendimit se Shqipëria ka nevojë për dialog politik konstruktiv midis të gjitha partive politike, përndryshe vështirë se do të mund të lëvizë në çështjet që i meriton populli shqiptar, siç është procesi i integrimit në BE”.
Edhe Kukan thotë se nuk pajtohet me dhunën dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore, të cilat ndodhën në protestën e 16 Shkurtit. Dhuna në këtë protestë u dënua menjëherë pas saj nga selitë diplomatike në Tiranë. Ambasada Amerikane, zyra e delegacionit e BE dhe OSBE e konsideruan atë të papranueshme.
Reagimi i Kukan vjen në të njëjtën linjë me atë që mbajti raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flekenshtjen, i cili tha se kjo nuk është hera e parë në këto 5 vjet, që opozita braktis parlamentin.
Më e drejtpërdrejtë ishte zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç sipas së cilës vendimi i opozitës shqiptare për të bojkotuar parlamentin dhe djegur mandatet është kundër-produktiv dhe shkon kundër reformave që kërkon integrimi.
Tv Klan