Qeveria Kurti ka dështuar në Strasburg në lobimin për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Komiteti i Ministrave të Jashtëm shtyu pa afat miratimin e raportit të ish-ministres së jashtme greke Dora Bakojanis që do të mundësonte anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë panevropiane me 46 shtete anëtare në përbërje të saj. Shkaku kryesor ishte mos miratimi në kohë i draftit për bashkësinë e komunave serbe që nuk i është dërguar Gjykates Kushtetuese në Prishtinë.
Ministri Hasani u tha Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës se mosshqyrtimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim ishte një mundësi e humbur. Sipas kryediplomatit shqiptar do të vijojnë përpjekjet për të mbledhur së afërmi një komitet tjetër ministrash për ta bërë të mundur mbështetjen me vota të Kosovës.
“Shpreha keqardhjen tonë që ky Ministerial nuk ishte në gjendje të shqyrtonte kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë Organizatë. Mbështetja dërrmuese e Asamblesë Parlamentare në prill pasqyroi një përkushtim për solidaritet dhe përparim që duhet të ketë zë. Është e nevojshme që edhe qeveria e Kosovës të veprojë menjëherë për përmbushjen e zotimeve të ndërmara. Pala shqiptare do vijojë përpjekjet e saj për të përmbushur çfarë i detyrohet popullit të Kosovës.”
Ministri francez për Çështje Evropiane, Jean-Noel Barrot, ka thënë se Franca deklaroi se në këtë fazë ekzistonte rreziku që çështja e Kosovës të shkaktonte përçarje mes shteteve në Këshillin e Evropës, ndaj çështja e anëtarësimit të saj në këtë organizatë do të shqyrtohet më vonë.
Klan News