Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për gjykimin dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Hagës. Kurti gjatë një diskutimi me studentë ka deklaruar se krerët e UÇK-së janë duke u mbajtur padrejtësisht në Gjykatën Speciale të Hagës. Ai ka thënë se megjithatë, mbrojtja e tyre, do të duhej të ishte një, e jo secili ta kishte avokatin e vet.

“Unë kam provuar, ku ky proces kishte nisur, kam provuar që krejt këshillin e mbrojtjes t’i bëjë bashkë – sepse unë besoj që mbrojta për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të duhej të kishte qenë e bashkuar (një): do të duhej ta kishin pasur një mbrojtje, e jo katër, e jo që secili ta kenë të tyrin”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka thënë se avokatët duan që klienti i tyre të lirohet dhe kjo ka rrezik më pas që ata t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit.

“Mos më keqkuptoni, problemi me avokatët është që të gjithë ata duan që klienti i tyre të lirohet, atyre s’ua ndien çfarë u ndodh të tjerëve, kështu që, në njëfarë mënyre, duke pasur secilin prej tyre të burgosur, krerët e UÇK-së, trupa e mbrojtjes e krijoi këtë mundësi që dikush të luajë (t’ua hedh) me mbrojtjen e tyre”, ka thënë Kurti.

Madje, sipas kryeministrit, atje do të duhej të kishte më shumë mbrojtje politike, se juridike.

“Është paksa histori e gjatë se si kemi mbërritur deri këtu; por besoj me të vërtetë që mbrojtja do të duhej të kishte qenë me njerëz tanë, dhe nuk mendoj që do të duhej të ishte edhe aq mbrojtje juridike, por do të duhej të kishte qenë shumë më shumë mbrojtje politike”, ka thënë Kurti.

Kurti edhe më herët ishte pyetur e kritikuar për faktin se nuk reagonte për zhvillimet në Gjykatën Speciale të Hagës. Ai ka thënë se më shumë se takim me krerët e UÇK-së, ka nevojë që ai të bisedojë me avokatët. Pas kësaj deklarate, Kurti kishte zhvilluar një takim në platformën “Zoom” me avokatët.

“Gjatë tij, është diskutuar për kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Takimi është mbajtur si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse siç janë: procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mosmarrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta”, ishte thënë në njoftimin e qeverisë.

Kryeministri Kurti kishte propozuar që takimet e tilla të vazhdojnë të jenë të rregullta. Të gjitha ekipet janë shprehur tejet mirënjohëse për mundësinë e diskutimit direkt me Kurtin, dhe shprehën falënderim me faktin që Qeveria e Kosovës po tregon interesim dhe angazhim në lidhje me procesin para Dhomave të Specializuara./Klan Kosova