Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë të padrejtë mbajtjen në burg të ish-Presidentit të Kosovës dhe ish-komandantit të UÇK-së, Hashim Thaçit. Për herë të parë, një përfaqësues i administratës së presidentit Trump del hapur kundër arrestimit të Thaçit. Richard Grenell, i dërguari i Shefit të Shtëpisë së Bardhë për çështjet speciale, thotë se në 17 -vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Hashim Thaçi duhet të ishte i lirë duke festuar në Prishtinë.

“I uroj të gjithë miqve të mi në Kosovë një festë të gëzueshme dhe të sigurt në 17 vjetorin e pavarësisë së tyre. Megjithatë, ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë”, tha Grenell.

Duke kritikuar Europën dhe institucionet në Kosovë dhe iu drejtua prokurorit special, Jack Smith, Grenell kërkon që padrejtësisë me Thaçin t’i jepet fund.

“Evropianët nuk kanë arritur të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në 5 vitet e fundit. Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie – për shkak të politikës. Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund”, tha Grenell.

Deklarata e Richard Grenell është mbështetur edhe nga kryeministri Rama, i cili duke iu përgjigjur postimit të emisarit special të Presidentit Trump, shkruan në rrjetet sociale: Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë!

Hashim Thaçi u arrestua më 5 Nëntor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale, pasi u dorëzua vullnetarisht sapo u njoh me akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë dhe procesi kundër tij dhe disa udhëheqësve të tjerë të UÇK-së vijon. Ai i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat, duke e quajtur procesin Gjykatës Speciale të padrejtë dhe që synon të dëmtojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tv Klan