Çështja e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve ka zgjuar vëmendjen e faktorit ndërkombëtar dhe mediave në veri të Kosovës ku katër komunat në kufi me Serbinë janë të banuara me shumicë serbe.
Faktori ndërkombëtar ka përmendur rrezikun e nxitjes së tensioneve në këtë pjesë të Kosovës, andaj edhe vlerëson se aktualisht nuk është situata për të ndërmarrë një veprim të tillë.
Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ambasadorin Boris Ruge ku diskutuan për këtë çështje.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës.
E kryeministri Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës që ka thënë se janë të interesuar që hapja e urës të bëhet në bazë të planit që kanë ndarë me partnerët e aleatët amerikanë e evropianë.
“Ne duam të bëjmë sa më parë. As nuk duam të befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë e amerikanë në njërën anë, e as nuk mund të lejojmë që çështja të zvarritet pafundësisht. Vullnetin e qëllimin e kemi të mirë,” tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Mbi këtë urë kanë qëndruar në vazhdimësi forcat e KFOR. Ky mision i NATO-s në Kosovë ka vlerësuar se për hapjen e urës duhet të diskutohet në dialog.
Tv Klan