Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shpërndarë disa pamje në rrjetet e tij sociale, për të cilat thotë se janë vënë re disa njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë disa metra larg kufirit me Kosovë gjatë ditës së djeshme.

Më tej, Kurti shkruan se janë të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kryeministri Kurti e mbyll postimin duke thënë se janë duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen që të kalojnë kufirin teksa shton se edhe ky afrim i automjeteve serbe ushtarake në kufi me Kosovën nuk është normal.

“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë mundësinë për të vepruar.

Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.

Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, shkruan Kryeministri Kurti në “Facebook”.


/tvklan.al