Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit. Në një konferencë për mediat, në krah të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, Kurti ka deklaruar se shteti serb është përpjekur të dëmtojë subjektet rivale serbe.

“Serbia orvatet që vendin tonë jo vetëm ta mbaj peng në zhvillimin e brendshëm politik por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e fundit, format e ndërhyrjes kanë ndryshuar. Ndikimi i dikurshëm brutal e fizik, përfshirë këtu edhe rrahjet e vrasjet, nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim janë rritur format tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe kushtëzimi financiar, shantazhet e frikësimet por edhe sulmet kibernetike.”


Shefi i ekzekutivit theksoi gjithashtu se Beogradi është munduar t’i frikësojë votuesit në Kosovë, teksa ndikimi është dalluar edhe te komunitetet e tjera jo-shumicë.

“Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë të Nenad Rashiqit dhe Demokracia serbe të Aleksandër Arsenijeviç, por edhe votuesit e komuniteteve tjera, kryesisht rom e ashkali. Përfaqësues të caktuar nga të gjitha subjektet tjera politike, janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë. Këto raste janë shënuar edhe në katër komunat veriore, edhe në gjashtë komunat tjera me shumicë serbe”.

1 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, KQZ nuk e ka shpallur ende rezultatin përfundimtar, ndërsa asnjëra nga forcat politike nuk ka marrë shumicën e duhur për të formuar e vetme qeverinë.

Tv Klan