Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke pritur afatin 48 orësh që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 Shkurtit pasi të mërkurën në mbrëmje përfundoi numërimi i të gjitha votave.
Sipas shifrave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.27% dhe do t’i takojnë 48 mandate. Partia Demokratike (PDK) është renditur e dyta 20.96% dhe do t’i ketë 24 mandate. Lidhja Demokratike (LDK) 18.28% do t’i ketë 20 deputetë. Koalicioni AAK-Nisma ka fituar 7.07% respektivisht 8 mandate. Sipas këtyre rezultateve asnjë parti nuk mund ta formojë qeverinë e vetme.
Ndërkohë kanë nisur thirrjet e faktorit ndërkombëtar për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re.
Deklaratës së të dërguarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin për formimin sa më të shpejtë të qeverisë dhe angazhimin në mënyrë aktive në dialog i është bashkuar edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Nga ambasada është thënë që tani është koha që partitë në Kosovë të vënë përpara interesin e vendit dhe që të punojnë së bashku.
Gjatë ditës ka nisur edhe rinumërimi i votave të Vushtrrisë që i përkasin LDK-së pasi kandidatja e kësaj partie është ankuar në dyshimin për manipulim votash nga një kandidat tjetër i po të njëjtës parti.
Prokuroria ishte e pranishme gjatë rinumërimit. Ndërkohë mediat nuk janë lejuar të hyjnë brenda ku kishte nisur rinumërimi i votave të LDKsë, pasi policia u ka thënë gazetarëve se kështu ka urdhëruar Prokuroria.
Klan News