Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar dëshmi të përkushtimit dhe kujdesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë dhe parandalimin e kërcënimeve të sigurisë për Kosovën, vizitën e shefit të Agjencisë Qendrore amerikane për Inteligjencë (CIA), William Burns, javën e shkuar.
“Takimi ka shkuar shumë mirë. Dhe natyrisht që ne kemi bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtë institucion tejet të rëndësishëm të inteligjencës dhe sigurisë, para së gjithash përmes Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, tha Kurti.
Por Kurti nuk deshi të flas asgjë rreth paralajmërimeve që kishte bërë më parë për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.
Burns javën e shkuar zhvilloi një vizitë në disa vende të Ballkanit përfshirë Kosovën dhe Serbisë si dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Ai erdhi në Kosovë në kohën kur faktori ndërkombëtar dhe qeveria e Kosovës nuk po gjenin një gjuhë të përbashkët lidhur me paralajmërimin e qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër e që faktori ndërkombëtar konsideronte që nuk është koha e duhur sepse mund të nxiten tensione.
Tv Klan