Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30, 16 Mars 2025 #TvKlan #klanlajme
Spiker: Reis Çiço
Headlines 16 Mars 2025
Tragjedi në RMV, 59 viktima nga zjarri në një lokal nate, 155 të plagosur në spital, flakët nisën nga fishekzjarret
Tragjedi në Maqedoninë e Veriut ku 59 persona humbën jetën dhe mbi 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur nga një zjarr që përfshiu një klub nate në qytetin e Koçanit. Shkak i zjarrit u bënë fishekzjarrët e ndezur gjatë koncertit. Qeveria shpall 7 dite zie, teksa janë arrestuar 15 persona.
Rama: Me planin e rritjes marrim 1 miliard euro nga Bashkimi Europian
Kryeministri Edi Rama shprehet se anëtarësimi në Bashkimin Europian për Shqipërinë është stacioni i fundit i shpëtimit nga e shkuara. Rama rendit edhe ndihmën financiare që do të marrë vendi ynë për këtë proces që arrin në 1 miliard euro.
Në qeli, më shumë të dyshuar se të dënuar, 55% janë të paraburgosur, në Kosovë zënë vetëm 33%
Gati 55% e personave që mbahen në qeli në vendin tonë janë të paraburgosur dhe pa një vendim dënimi të formës së prerë. Numri i paraburgosurve në Shqipëri është nga më të lartët në rajon pasi edhe Kosova numëron vetëm 33% të tyre.
Shtohen përpjekjet për kalimin e kufirit me dokumente false, në Rinas u kapën 209 raste në 15 muaj
Fluksi i shtuar i lëvizjeve në aeroportin e Rinasit ka rritur edhe tentativat për kalimin e kufirit me dokumente të falsifikuara. Nga rreth 20 mijë kontrolle të kryera në vijën e dytë janë zbuluar 209 raste në 15 muajt e fundit.
32 sulme kibernetike ndaj shërbimeve publike në 2024, shumica e tyre erdhën nga shtete të caktuara
32 sulme kibernetike ndaj institucioneve u regjistruan nga autoritetet shqiptare gjatë vitit që lamë pas. Autoritetet thonë se shumica e tyre kanë qenë të orkestruara nga shtete të caktuara dhe se synimi ka qenë fshirja ose marrja e të dhënave.
Hirësi Joan Pelushi zgjidhet kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare
Hirësi Joan Pelushi do të jetë kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Mitropoliti i Korçës që u zgjodh sot në këtë detyrë të lartë u shpreh se do të përpiqet me të gjithë forcën e tij të mbrojë të drejtat e kishës.
Mbërrijnë futbollistët e parë të Kombëtares, nisin përgatitjet për ndeshjen me Anglinë
Lojtarët e parë të Kombëtares kanë mbërritur në grumbullim për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës me Anglinë dhe Andorrën. Shpresohet që grupi të jetë i plotë deri në seancën e parë stërvitore të ditës së hënë.
/tvklan.al