Marija Taseva është një vajzë 20-vjeçare, që i mbijetoi tragjedisë në klubin e natës në Koçan të Maqedonisë së Veriut, por fatkeqësisht humbi motrën e saj më të madhe. Ajo ka rrëfyer momentet e ferrit që përjetoi brenda ndërtesës, nga ku mori edhe lëndime për shkak se turma e shtypi pas rënies së zjarrit.

“Zjarri shpërtheu, të gjithë filluan të bërtisnin: “Dil jashtë, dil jashtë!”, por fatkeqësisht kishte vetëm një dalje dhe brenda kishte 1500 njerëz. Pastaj të gjithë filluan të shtyjnë njëri-tjetrin, kështu që unë u drejtova për në dalje. Nuk e di si, por përfundova në tokë, nuk munda të ngrihesha dhe në atë moment njerëzit filluan të më shkelnin. Nuk e di si, por disi arrita të dal. Tani jam mirë, por ka shumë të vdekur. Është e tmerrshme.”

Jashtë spitalit të Koçanit, situata është mjaft e tensionuar. Prindërit kërkojnë të dinë fatin e fëmijëve të tyre që ishin në festë, por shumica nuk marrin përgjigje për shkak se shumë nga trupat e viktimave janë të paidentifikuar, pasi nuk kanë pasur mjete identifikimi.

Ajo që shihni këtu është një situatë e trishtuar. Brenda, ku identifikojnë viktimat, situata është shumë më e keqe. E shihni që edhe prindërit janë mjaft të rinj, rreth të 40-tave. Fëmijët e tyre janë 18 ose 20 vjeç. Siç thashë, situata është brutale, kaotike, historitë janë shumë të trishtueshme dhe fatkeqësisht shumë jetë të rinjsh kanë humbur”, tha Mustafa Saidov, vullnetar i Kryqit të Kuq.

Mbi 20 persona po hetohen për tragjedinë. 15 janë arrestuar, mes tyre edhe ish-sekretarja Shtetërore e Ministrisë së Ekonomisë, Razmina Çekiç nga LSDM, e cila sipas ministrit të Brendshëm, ka falsifikuar licencën për lokalin ku ra zjarri.

Klan News