Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës janë tërhequr nga qyteti Sudzha në rajonin Kursk të Rusisë për të zënë pozicione më të favorshme strategjike përgjatë kufirit lindor të Ukrainës. Hartat zyrtare të operacioneve në vazhdim tregojnë se forcat ukrainase janë ripozicionuar përgjatë kufirit shtetëror, ndërsa trupat ruse vijojnë sulmet.

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video ku tha se tregonte trupat që evakuonin civilët nga Sudzha dhe Kazach’ya Loknya, në rajonin perëndimor të Kurskut.

Ndërkaq presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se stacionimi i trupave paqeruajtëse në Ukrainë, siç propozohet nga Britania dhe Franca si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi me Rusinë, është një çështje që duhet të vendosë Kievi dhe jo Moska.

“Ukraina është sovrane. Nëse kërkon që forcat aleate të jenë në territorin e saj, nuk është diçka që Rusia ta pranojë apo jo,” tha Macron në një intervistë për mediat franceze.

Presidenti Macron ndër të tjera tha se çdo forcë paqeruajtëse do të përbëhet nga mijëra trupa që do të vendosen në vende kyçe, duke shtuar se një numër vendesh evropiane dhe jo-evropiane  janë të interesuara për të marrë pjesë. Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump kërkon një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Klan News