Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30 data 28 Qershor 2024 #TvKlan #KlanLajme

Spiker: Reis Çiço

Censi: Në Shqipëri jetojnë 2.4 milionë banorë, 17% më pak se në 2011. Një e treta janë në Tiranë

INSTAT publikoi sot të dhënat e Censit, sipas të cilit aktualisht në Shqipëri jetojnë 2.4 milionë banorë në rreth 1 milion banesa. Popullsia ka një rënie me 17% në krahasim me 2011-ën ndërsa një e treta e banorëve jeton në Tiranë.

Rama: Himara është Shqipëri, mjaft me lojëra. Vangjel Dule po nxit përçarje

Në ndarjen e certifikatave të pronësisë për banorët e Dhërmiut, kryeministri Rama tha se në Himarë duhet t’u jepet fund lojërave të përçarjes. Ai përmendi me emër, kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule duke e konsideruar si nxitës të ndasive.

Nuk ka konsensus për reformën zgjedhore. PS rrëzon kërkesën e PD për koalicionet

Grupi i punës i Reformës Zgjedhore nuk po gjen dakordësinë për ndryshimet në ligj. Mazhoranca nuk e pranoi kërkesën e opozitës për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore ndërsa u shpreh e gatshme për vendosjen e votës së emigrantëve.

Mjeku i onkologjikut thyen masën “arrest shtëpie”. Policia: Shkoi në një lokal pa leje

Të tjera telashe me drejtësinë për mjekun e spitalit onkologjik, Edmond Gashi. Përveç shpërdorimit të detyrës, ai akuzohet tashmë nga policia edhe për thyerje të masës së “arrestit shtëpiak” pasi kishte qëndruar pa leje në një lokal.

Trump mund Biden në debatin e parë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, në vështirësi

Debati i parë mes kandidatëve presidenciale, Xho Bajden dhe Donald Tramp u fitua nga ish-presidenti. Demokratët e alarmuar nga paraqitja po bëjnë thirrje për tërheqje nga gara te Bajden. Por Shtëpia e Bardhe thotë se presidenti po përgatitet për debatin e dyte.

Ramadani vendos rekord në “Euro 2024”.  Mesfushori shqiptar vrapoi 37.5 km në 3 ndeshje

Ylber Ramadani është bërë pjesë e rekordeve të fazës së grupeve të Euro 2024. Mesfushori kombëtares shqiptare ka vrapuar gjithsej 37.5 kilometra në 3 ndeshjet ku u aktivizua. Pas tij vijnë Barela i Italisë dhe Suçek i Çekisë.

/tvklan.al