Barcelona triumfoi me shifrat e thella 4-0 ndaj Real Madrid në “El Clasico”-n e parë të sezonit. Dominim absolut nga katalanasit në “Santiago Bernabeu”, duke shkatërruar rivalët e përjetshëm.
Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa fraksioni i dytë, ishte tjetër histori.
Robert Lewandowski u shfaq i papërmbajtshëm, duke shënuar dy gola të shpejtë.
Polaku zhbllokoi takimin në minutën e 54-t, ndërsa dyfishoi shifrat dy minuta më vonë, duke bërë që të “pllakosë” heshtja në stadiumin “Santiago Bernabeu”.
Reali provoi të reagojë, por e kishte të vështirë të thyente mbrojtjen e katalanasve.
Madrilenët morën goditjen e radhës në minutën e 74-t, kur Yamal shënoi edhe të tretin për Barcelonën.
Goleada e katalanasve, nuk përfundoi këtu, pasi Raphinha shënoi edhe të katërtin në minutën e 84-t.
Me këtë fitore, Barcelona shkëputet në krye me 30 pikë, ndërsa Reali mbetet i dyti me 24 pikë. /tvklan.al