Te Santos ishin pesimistë për formën fizike, por Neymar Jr është shndërruar shumë shpejt në idhullin e tifozëve edhe me performancat në fushë.
33-vjeçari duket se ka rilindur në eksperiencën e dytë në kampionatin brazilian, për të shuar çdo dilemë për talentin që zotëron. Një pjesë e magjisë u rikthye, në fitoren 3-0 të Santos-it kundër Inter de Limeira-s, një fitore kyçe për skuadrën për t’u kualifikuar në çerekfinale të turneut Paulistão.
Neymar ishte çelësi i fitores, duke asistuar te dy golat e Tiquinho Soares dhe duke shënuar një “gol Olimpik”, direkt nga goditja e këndit.
Është goli i tij i parë i shënuar në këtë mënyrë, një lloj goli që as Cristiano Ronaldo dhe as Lionel Messi nuk kanë arritur ta shënojnë ende. Braziliani krijoi 8 raste për gol, teksa rikuperoi 2 topa dhe dha 4 krosime të sakta.
Ky ishte goli i tij i dytë për Santos, me të cilët ka firmosur të paktën deri në muajin Qershor. Neymar shpreson të jetë sërish në një prej kampionateve më të mira në Europë, me Barcelonën që ka hipotekuar një rikthim të mundshëm.
Klan News