Qershitë në lulëzim janë kthyer tashmë në simbol të Japonisë. Është një moment i vitit që zgjat rreth dy javë, por kaq mjafton që turistë nga e gjithë bota ta vizitojnë në këtë periudhë.
“Kjo është hera e parë që i shoh. Nuk mendoj se kanë lulëzuar ende plotësisht, por janë shumë të bukura. Janë të mira për fotografi”, u shpreh turisti nga Rumania, Adrian Stanciu.
Për vendasit, ky spektakël i mrekullueshëm nuk është vetëm simbol i rilindjes së natyrës, por është edhe një ritual shumë i rëndësishëm për meditim dhe për të festuar me piknike në ajër të pastër. Në fakt, për kulturën e lashtë japoneze, të mblidhesh me të dashurit e familjarët nën hijen e qershive në lulëzim është mjaft e rëndësishme.
Lulet e qershisë, sakura në gjuhën vendase, lulëzojnë të gjitha njëherësh, por edhe vyshken shumë shpejt, ç’ka do të thotë se gjithçka që lind ikën, duke u bazuar kështu në principin budist që gjithçka duhet shijuar para se të jetë tepër vonë.
Kjo simbolikë u përdor shumë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mbartur kështu edhe një simbolikë tjetër, të ushtarëve të rënë dhe të paqes. E që atëherë, Japonia nisi fushata masive të mbjelljes së qershisë.
Tradita respektohet dhe çdo vit Japonia e mbushur me lule qershie, apo Sakura, shijon Hanami-n, që do të thotë rituali i vëzhgimit dhe shijimit të luleve që çelin.
Klan News