Popullata e vogël e një fshati japonez tani “mbizotërohet nga kukullat” pasi po përdoren manekinë për të zëvendësuar të larguarit.
Më pak se 60 banorë jetojnë në fshatin jugor Ichinono, pjesa më e madhe e të cilëve janë në pension ndërsa të rinjtë janë larguar për mundësi shkollimi e punësimi.
Si përpjekje për të shëruar ndjesinë e vetmisë pas largimit të fqinjëve e njerëzve të dashur, fshatarët kanë përdorur rroba të vjetra, copa e manekinë për të krijuar një popullatë të re me kukulla.
Një vajzë me kapuç shihet duke u lëkundur në një shilarëse druri, ndërsa shoku i saj i buzëqeshur rri mbi një monopatinë, gati për t’u nisur. Të dy janë manekinë. Pranë tyre është një vajzë me helmetë të kuqe e hipur mbi biçikletë.
Në një tjetër zonë të fshatit, nën pemët e zhveshura dallohen dy kukulla vajzash të rritura dhe një vogëlushe që stivojnë dru mbi një karrocë.




“Te ne kryesojnë kukullat”, thotë vejusha 88-vjeçare Hisayo Yamazaki për Agence France-Presse. Ajo shton se pjesa më e madhe e familjeve në Ichinono që kanë fëmijë, i kanë nxitur të shkojnë diku tjetër dhe “ky është çmimi që paguajnë”.
Megjithatë ka disa banorë më të rinj si Rie Kato dhe Toshiki Kato, 33 dhe 31 vjeç që u shpërngulën nga Osaka në fshat pas pandemisë së Covid-19. Djali i tyre 2-vjeçar, Kuranosuke ishte bebja e parë që lindte në Ichinono në dy dekaada, sipas Ministrisë së Brendshme japoneze.
Japonia ka përqindjen më të lartë në botë të njerëzve nga mosha 65 vjeç e sipër. Popullsia po ulet ndërsa numri i të moshuarve ka arritur një rekord, 36.25 milionë çka përbën 29.3% të totalit. Viti 2023 shënoi rënie për të 15-ën herë rishtazi pasi pati vetëm 730.000 lindje dhe 1.58 milionë vdekje./tvklan.al