Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka lartësuar të premten bashkëpunimin mes Koresë së Jugut, Japonisë dhe SHBA-së, për luftimin e asaj që ai e quajti “bashkëpunim i rrezikshëm dhe përshkallëzues” mes Koresë së Veriut dhe Rusisë.

“Jam krenar sa larg kemi arritur”, tha Biden. “Ne e kemi trajtuar së bashku secilin problem”.

Biden foli para takimit në Peru me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, dhe kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba.

Takimi mes tyre u zhvillua mes shqetësimeve të shtuara për partneritetin në rritje ushtarak midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, si dhe për shpeshtimin e testimit të raketave balistike nga Pheniani.

Ata u takuan në margjinat e samitit për Bashkëpunimin Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC ) në Peru, në një kohë kur Koreja e Veriut i ka dërguar mijëra trupa në Rusi për ta ndihmuar Moskën t’i rimarrë territoret në rajonin kufitar të Kurskut, pas një inkursioni befasues të Ukrainës atje në gusht.

Sipas vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara, Koresë së Jugut dhe Ukrainës, rreth 12.000 trupa koreanoveriore janë dërguar në Rusi.

Zyrtarë të inteligjencës amerikane dhe koreanojugore thonë se Koreja e Veriut gjithashtu i ka dhënë Rusisë sasi të mëdha municionesh.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, urdhëroi gjithashtu një sërë testimesh raketore në prag të zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA dhe pretendon se vendi i tij ka përparuar në përpjekjet për të ndërtuar armë për ta goditur drejtpërdrejt SHBA-në.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë janë të shqetësuar se Pheniani mund të ndërmarrë veprime më provokuese para përurimit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, dhe ditëve të para të administratës së tij në janar.

Biden ndodhet për një vizitë gjashtëditore në Amerikën Latine për samitet e fundit të mëdha ndërkombëtare gjatë presidencës së tij. Pas APEC-ut, ai do të marrë pjesë në një mbledhje në Brazil të liderëve të Grupit të 20 ekonomive kryesore.

Ai ka të ngjarë të përballet me pyetje nga liderët botërorë për administratën e ardhshme, për atë se çfarë do të nënkuptojë për ta kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë./REL