Votat për kandidatët e subjekteve politike, të cilët nuk janë certifkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, nuk do të hyjnë në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve, konfirmon zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Rrjedhimisht, pavarësisht mundësisë që numrat dhe emrat e kandidatëve të pacertifikuar mund të marrin numër të caktuar të votave, ato nuk do të formalizohen ligjërisht.
Kjo do të vlejë edhe për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili vazhdon të thotë që është bartës i listës së këtij subjekti politik, si dhe për dy kandidatë tjerë të këtij subjekti, të cilët nuk janë certifikuar nga KQZ-ja.
Moscertifikim të kandidatëve nga ky institucion ka edhe në disa nga subjektet tjera politike, të cilat garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Por, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të ftojë qytetarët që të votojnë Kurtin, duke thënë se kjo është e drejtë e votuesve nëse ata duan të bëjnë këtë dhe se një veprim i tillë nuk e dëmton Lëvizjen Vetëvendosje.
Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, vlerëson që Lëvizja Vetëvendosje po synon të arrijë legjitimitetin moral për liderin e saj Albin Kurti, në mënyrë që të ketë përkrahjen popullore për t’u zgjedhur kryeministër i vendit, në rast se ky subjekt politik i fiton zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.
Një gjë të tillë nuk e mohon as Lëvizja Vetëvendosje.
KQZ: Të vlefshme vetëm votat për kandidatët e certifikuar
Në broshurën me listat e kandidatëve të subjekteve politike, të cilën e ka publikuar KQZ-ja në faqen e saj të internetit dhe e cila më 14 shkurt do të jetë në kabinat e votimit, emrat dhe numrat e kandidatëve, të cilët nuk janë certifikuar për zgjedhje, janë larguar.
Në fletëvotime, përveç që figurojnë të gjitha subjektet politike të certifikuara, janë edhe numrat për votimin e kandidatëve prej 1 deri në 110.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka sqaruar procedurën lidhur me nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve.
Siç thotë ai, pas përfundimit të votimeve, anëtarët e Këshillit të vendvotimit, që përbëhet nga përfaqësuesit e subjekteve politike, fillimisht i numërojnë votat për subjektet politike. Më pas, krijohen dengjet me votat e vlefshme për secilin subjekt politik.
Më vonë, numërohet pjesa tjetër e fletëvotimit apo votat e kandidatëve. Këto të dhëna paraqiten në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve për secilin fletëvotim të vlefshëm. Në këto fleta paraqiten të dhënat për çdo numër.
Pas këtij procesi bëhet bartja totale e votave për secilin kandidat të cetifikuar.
“Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar katër kandidatë, ndërkaq që në fletëvotim janë votat për pesë kandidatë, në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve evidentohen këto pesë vota, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këtë formular barten vetëm votat për kandidatët e certifikuar”, theksoi Elezi.
Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në rast votuesit e votojnë Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekt politik dhe më pas në votimin e kandidatëve e shenjojnë numrin “1”, kjo nënkupton që kanë dhënë votën për Albin Kurtin.
Pavarësisht që në rastin konkret Kurti nuk është i certifikuar, megjithatë sipas tij, mund të dihet numri i atyre që kanë shprehur interesimin që ta votojnë.
“Ato mund të numërohen dhe ata që kanë interes që ta dinë se sa njerëz e kanë rrethuar emrin e Albin Kurtit, Albulena Haxhiut apo edhe të ndodnjë kandidati tjetër të partive tjera, ajo është çështje e vëzhguesve dhe komisionerëve të atij subjekti. Nëse nuk duan nuk e bëjnë. Por, nëse duan, mund ta bëjnë dhe kjo nuk e pengon askënd asgjë”, theksoi Kurteshi.
Votat për legjitimitetin moral?
Por, pse Lëvizja Vetëvendosje insiston që lideri i saj, Kurti, i pacertifikuar nga KQZ-ja, të marrë vota, të cilat ligjërisht nuk do të kenë vlerë?
Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që Lëvizja Vetëvendosje, në pamundësi për siguruar , siç e quan ai, legjitimitetin ligjor për liderin e saj, për shkak të moscertifikimit të tij nga KQZ-ja, po synon të arrijë legjitimitetin moral.
“Legjitimitet juridik nuk ka, për shkak se nuk është i certifikuar. Më tepër kemi të bëjmë me këtë pjesën e legjitimitetit moral para publikut. Tendeca është më tepër, sa i përket Vetëvendosjes, që Kurti si lider i partisë dhe si kandidat i pacertifikuar, synon të bëhet kryeministër. Pastaj kjo të dalë në publik që ndonëse Kurti nuk ka qenë i certifikuar si kandidat, ka arritur të marrë një numër të caktuar të votave, të cilin ata (LVV) mund ta publikojnë, për ta legjitimuar në njëfarë mënyre përkrahjen popullore ndaj tij. LVV e ka sulmuar shumë (kryeministrin në detyrë, Avdullah) Hotin që me aq pak vota ka arritur të bëhet kryeministër dhe e kanë goditur pikërisht në këtë çështjen e legjitimitetit”, tha Demhasaj.
Se Lëvizja e Vetëvendosje synon legjitimitetin moral për liderin e saj Kurtin, nuk e mohon as Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga ky subjekt politik.
“Çështja është kështu, pra, kemi kategoritë e legjitimitetit dhe legalitetit. Ato vota janë legjitime sipas përzgjedhjes së qytetarëve. Ato nuk numërohen si legale, sepse nuk janë në broshurat në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Asgjë këtu nuk ndryshon. Do të thotë, në aspektin statistikor, numërohen votat për Vetëvendosjen. Në aspektin e legjitimitetit, e shohin njerëzit se kush ka marrë vota më së shumti, ndërkaq në aspektin e legalitetit, nuk futen në listën e kandidatëve sikur kandidatët tjerë”, theksoi Kurteshi.
Demhasaj: Votat për të pacertifikuarit nuk dëmtojnë subjektet politike
Por, a mund ta dëmtojnë Lëvizjen Vetëvendosje votat eventuale për në kandidat të saj të pacertifikuar nga KQZ-ja?
Zyrtarët e këtij subjekti kanë theksuar se kjo nuk mund të ndodhë.
Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në Facebook ka theksuar që mund të votohet numri “1” i këtij subjekti politik dhe se “çdo votë do të numërohet”.
Edhe Demhasaj vlerëson që votat eventuale për një kandidat të pacertifikuar nga KQZ-ja, nuk e dëmtojnë subjektin politik të atij kandidati.
“Nuk e dëmton aspak, sepse fillimisht vota jepet për partinë. Pastaj, përmes votës për partinë ndahet kuota se sa deputetë i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje si parti pjesëmarrëse në këto zgjedhje. Atëherë, në ranglistën e Vetëvendosjes hyjnë ata deputet që kanë vota më së shumti, pra, varësisht prej numrit që përcaktohet me formulën e KQZ-së”, u shpreh Demhasaj.
Moscertifikimi ka ndodhur për shkak të vlerësimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, se nga 1.079 kandidatë për deputetë në listat e subjekteve politike, sa ishin fillimisht, 47 prej tyre kanë rënë ndesh me ligjin, përfshirë edhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Aktgjykimi i Kushtetueses, por edhe neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili gjatë tri vjetëve të fundit ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë.
Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.
Pas ankesave të subjeteve politike në Gjykatën Supreme, kjo e fundit, më 29 janar, vendosi për dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe një deputet të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, se mund të certifikohen.
Por, Gjykata Supreme ua pamundësoi subjekteve politike që të zëvendësojnë emrat e kandidatëve që kanë probleme me ligjin me kandidat të rinj.
Gjithashtu, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, nuk kanë bërë rirenditjen e kandidatëve në listat zgjedhore, pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të marrin pjesë 28 subjekte politike me mbi 1.000 kandidatë për deputetë, të cilët garojnë për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës./REL