Në vizitën e saj të parë në Tiranë, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos tha se nuk pret që zgjedhjet parlamentare të ngadalësojnë procesin e integrimit në BE.

“Unë nuk pres që zgjedhjet parlamentare të ngadalësojnë procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Ky është një proces që zhvillohet në një kohë të gjatë ndaj jam e sigurt se reformat do të vijojnë. Këto reforma nuk po kryhen nga Shqipëria sepse ato i do Bashkimi Europian, por sepse ky është një proces transformues. Janë vetë qytetarët shqiptarë që do ta vendosin se çfarë qeverie do të kenë pas këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Marta Kos.

Kos ishte optimiste për ecurinë e negociatave.

“Ju dëshironi të mbyllni negociatat deri në fund të 2027. Janë hapur tashmë grupkapitujt 2, 3 dhe në vijim do të hapen edhe grup-kapitujt e tjerë. Nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e grup-kapitujve, por edhe për mbylljen sa më shpejt të tyre. Jam e sigurt se me gjithë reformat që ju po kryeni kjo do të jetë e mundur”, tha komisionerja Kos.

Kryeministri tha se për herë të parë që nga viti 1912 njerëz të lidhur me pushtetin politik, janë para drejtësisë.

“Natyrisht që ky proces është në fillimet e veta, natyrisht që ka problematikat e veta, natyrisht që nuk bëhet fjalë thjesht për pavarësi të pushtetit gjyqësor, por bëhet fjalë dhe për standarde demokratike, bëhet fjalë për mbrojtjen nga vetë pushteti gjyqësor i lirive dhe të drejtave të njeriut, etj. Ky është proces dhe ne jemi të pangopur në këtë proces me rezultate. Duam më shumë në të gjitha proceset. Prandaj kemi ngritur dhe një komision parlamentar i cili do të jetë aty deri kur ne të futemi në Bashkimin Europian”, u shpreh kryeministri Rama.    

Komisionerja Kos tha se Komisioni Evropian do të lëvrojë 1 miliardë Euro për Shqipërinë nga Plani i Rritjes. Ajo i dhuroi një fanellë kryeministrit me numrin 11, ku ishte i stampuar edhe flamuri i BE-së.

Klan News