Mijëra njerëz kanë nisur të mblidhen në Moskë për funeralin e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny që do mbahet sot në 14:00 me orën lokale. Ka një prezencë të madhe policie në qytet, me roje të vendosur rreth një gardhi rrethues.

Ata po presin jashtë Kishës së Ikonës së Zojës, në Maryino, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Navalnyt. Ky është një akt trimërie dhe sfide në vetvete, duke pasur parasysh se qindra u arrestuan më herët në memorialet që u shfaqën në të gjithë Rusinë menjëherë pas vdekjes së Alexei Navalny dy javë më parë.

Gjithashtu, diplomatë të huaj, përfshirë ambasadorët gjermanë, francezë dhe amerikanë, kanë mbërritur në kishë për t’i bërë nderimet e tyre Alexei Navalnyt. Alexander Graf Lambsdorff, Pierre Levy dhe Lynne Tracy janë fotografuar pranë kishës, të veshur me të zeza dhe duke mbajtur trëndafila të kuq.

Navalny vdiq më 16 Shkurt 2024 në një burg të largët në Arktik. Si një prej figurave më të rëndësishme të opozitës, 47-vjeçari ishte në burg, nën akuza që sipas kritikëve të Kremlinit, kanë qenë të motivuara politikisht.
Autoritetet e burgut thanë se ai pësoi “sindromën e vdekjes së papritur”, por aleatët e tij besojnë se ai u vra me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin. Nga ana tjetër, Kremlini i cilësoi si “të neveritshme” akuzat e tilla./tvklan.al