Deklaratat apo vendimet e Kreut të Shtëpisë së Bardhë Donald Trump po ngjallin debate në shumë shtete të botës. Ai nuk resht së theksuari propozimin për zhvendosjen e 1.8 milion palestinezëve nga Gaza, duke iu premtuar një jetë të re, të bukur e krejtësisht të qetë.
Sipas Trump, Shtetet e Bashkuara mund ta shndërrojnë Rripin e Gazës në “Rivierën e Lindjes së Mesme”. Gjatë një konference për shtyp, tha se “njerëzit mund të shijojnë shtëpitë e tyre, të jenë të lumtur pa frikën se dikush mund t’i vrasë”.
Megjithatë, palestinezët dhe shumë udhëheqës të Lindjes nuk e kanë pritur aspak mirë këtë ‘ide’ të Trump, duke ngritur shqetësimin për “shfarosje të mundshme etnike”. Këtyre të fundit u është bashkuar edhe kryeministri britanik Keir Starmer.
“Palestinezët duhet të rrinë në vendin e tyre dhe të rindërtojnë gjithçka”, ka thënë Starmer.
Ai madje thekson se nuk “mund ta heqë nga mendja imazhin e mijëra palestinezëve teksa rikthehen në shtëpitë e tyre, duke ecur nëpër rrënoja”. Jo vetëm Starmer, por edhe eksponentë të tjerë të politikës së Mbretërisë së Bashkuar e kanë dhënë verdiktin e tyre:
“Izraeli duhet të jetojë i sigurt brenda kufijve, e po ashtu palestinezët të gëzojnë të pavarur në shtetin e territorin e tyre!”
/tvklan.al