Askush nuk do që të jetë vetëm dhe nuk ka punë më të vështirë se të qenit një yll popi. Për këtë, mjafton të pyesësh Lady Gaga.
“Jam vetëm, Brandon. Çdo natë”, i thotë ajo stilistit të saj në dokumentarin “Five Foot Tëo” të publikuar në vitin 2017. “Kaloj nga të prekurit dhe të folurit gjithë ditën në heshtje të plotë”.
Tani ajo është 38 vjeçe dhe e fejuar me sipërmarrësin Michael Polansky, teksa pranon se vitet e vetmisë e trembnin.
“Mendoj se frika ime më e madhe ishte ta bëja këtë vetëm, të jetoja vetëm. Mendoj se dhurata më e madhe ka qenë njohja me partnerin tim, Michael dhe të jetuarit në kaos me të”, shprehet ajo në një intervistë për BBC.
Çifti u lidh në vitin 2020 dhe e zbuluan fejesën në Festivalin e Filmit në Venecia shtatorin që lamë pas ku Gaga u shfaq me unazën miliona dollarëshe në publik.
Një diamant i madh, me prerje ovale i vendosur në një rreth me flori të bardhë dhe rozë 18-karatë. Në dorën tjetër, ajo mban një unazë më të vogël, me disa fije bari të mbyllura në rezinë. Ajo është unaza e veçantë.
“Michael më propozoi me këto fije bari. Shumë kohë më parë, ishim në kopsht dhe më pyeti, ‘nëse unë do të të propozoja, si duhet ta bëj?’ Edhe i thashë vetëm merr një fije bari nga kopshti, mbështille rreth gishtit tim dhe do të më bëjë të lumtur”, u shpreh në konferencën e shtypit “Little Monster” në Spotify.

Një gjest romantik por edhe i trishtë. Kopshti i shtëpisë në Malibu të këngëtares shërbeu për të organizuar dasmën e shoqes së saj të ngushtë, Sonja Durham pak para se të ndërronte jetë nga kanceri në vitin 2017.
“Kishte shumë dhimbje, por po më ndodhte edhe kjo gjëja e bukur. Të fejohesha në moshën 38-vjeçare…po mendoja çfarë u desh që të arrija te ky moment”.
Këto ndjesi u përkthyen në një këngë në albumin e saj të ri, “Mayhem”.

“Blade of Grass” është një këngë që flet për “puthjen e dy të dashuruarve në një kopsht me gjemba” dhe premtimin e dashurisë në kohë të errëta.
Lady Gaga e quan një “falënderim” për gjysmën e saj më të mirë. Në fund, ajo thotë se ky album reflekton gjithë kaosin e këtyre viteve mes famës që më në fund gjen qetësinë. Për këtë, i detyrohet “rritjes dhe përmbushjes”.
“Të isha aty për miqtë e mi, familjen, të njihja të fejuarin tim, të gjitha këto më përmbushën në vend që e vetmja gjë e rëndësishme të ishte personazhi im skenik”.
Me vendosmëri, këngëtarja shprehet:
“Doja që ‘Mayhem’ të kishte një fund. Doja që kaosi të ndalonte. Unë e lashë mënjanë ikonën. Mbaron me dashuri”, përmbyll ajo./tvklan.al