China Digital Times që nga viti 2010, kjo faqe e pavarur lajmesh në internet, me seli në SHBA, ka publikuar qindra direktiva të lëshuara nga autoritetet kineze për mediat shtetërore. Sipas analistëve, direktivat nxjerrin në pah natyrën strikte dhe ndonjëherë të çuditshme të censurës shtetërore – që nga mbulimi mediatik për përmbytjet e Korrikut në Henan (direktiva ishte “të zhvendoset vëmendja e raportimeve drejt përpjekjes për rimëkëmbje pas fatkeqësisë natyrore“), apo për çështjen e shitësve të rrugës (“lutemi mos ta theksoni më tej“), si dhe deri tek masat për pandeminë në Kinë dhe jashtë saj.
“Direktivat janë vërtet të dobishme sepse një nivel i tillë çensure nuk ishte i ditur më parë“, i tha Zërit të Amerikës, Angeli Datt, një analiste për Kinën në organizatën Freedom House. Ndërsa një zëdhënës i ambasadës u shpreh për Zërin e Amerikës se “media kineze, e angazhuar për mbulim objektiv, të paanshëm, të vërtetë dhe të saktë, ka luajtur një rol aktiv në rritjen e mirëkuptimit reciprok midis Kinës dhe vendeve të tjera”.
Analistja për Kinën në organizatën Human Rights Watch, Jaciu Wang i përshkroi direktivat e publikuara nga China Digital Times si “një vështrim i brendshëm se si funksionon sistemi“. Ky sistem ka dy fusha kryesore: autocensurën dhe censurën e zbatuar nga qeveria, sipas zonjës Wang. Megjithatë, represioni tenton të funksionojë sipas rastit, tha ajo për Zërin e Amerikës, duke shtuar se “Nuk ka rregulla të qarta“.
Kjo qasje e paqartë ka të ngjarë të jetë e qëllimshme, tha zonja Datt, e organizatës Freedom House.
“Linjat e kuqe politike mbahen gjithmonë qëllimisht të paqarta, sepse nëse nuk e dini kur e keni kaluar atë, me siguri do të jeni më në mëdyshje për të bërë ndonjë gjë që potencialisht mund ta kalojë atë“.
Gazetarët që punuan në mediat shtetërore të Kinës kanë një pikëpamje të ngjashme dhe thonë se shpesh personeli largohet nga çështjet që ata besojnë se mund të jenë të ndjeshme, për të shmangur probleme. Dhe ndërsa kishin njëfarë lirie për të mbuluar lajme më pak të ndjeshme politikisht, në përgjithësi gazetarët thanë se kontrolli duket se është rritur vitet e fundit.
Klan News