‘Freedom House’ vlerëson përpjekjet e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe veçon rezultatet e hetimeve ndaj figurave politike. Organizata me seli në Uashington, në raportin e fundit “Vendet në Tranzicion 2024”, thekson se korrupsioni vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese në Shqipëri.
“SPAK-u gradualisht përmirësoi rezultatet e hetimeve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngriti akuza kundër një numri politikanësh kryesorë në Shqipëri në vitin 2023, duke u bërë njëri nga institucionet e pakta funksionale të drejtësisë dhe prokurorisë në vend, ndërkohë që procesi i vetingut në Shqipëri vazhdoi edhe gjatë vitit 2023.”
Sipas raportit, pas hetimeve dhe akuzave të SPAK-ut ndaj Berishës dhe Ahmetajt, si dhe ekspozimit të lidhjeve ndërmjet disa grupeve të krimit të organizuar me biznese, politikanë dhe agjenci të rendit” është vënë re një fushatë në rritje dezinformimi nga figura të larta politike në qeveri dhe opozitë për të diskredituar punën e SPAK-ut.
“Reagimi negativ nënvizon realitetin se SPAK-u nuk mundet të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta i vetëm dhe se është e rëndësisë jetike për demokracinë në Shqipëri, që partitë politike t’i largojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe që kanë një të kaluar që minon sundimin e ligjit dhe demokracinë.”
Sipas ‘Freedom House’ partitë politike shqiptare vazhdojnë të mos jenë në gjendje të përballen me korrupsionin në radhët e tyre dhe duken të pavullnetshme për t’u distancuar nga udhëheqësit problematikë partiakë.
Vlerësimi i përgjithshëm i organizatës për Shqipërinë mbetet i pandryshuar nga viti i kaluar, duke e cilësuar si një vend me sistem hibrid të qeverisjes. ‘Freedom House’ bën përgjegjëse të dy anët e spektrit politik në Shqipëri që kanë çuar në dobësimin e pozitës së parlamentit për të mbikëqyrur punën e qeverisë.
Klan News