Ambasada e SHBA dhe Delegacioni i Bashkimit Europian deklarojnë se nisma e qeverisë për realizimin e një cikël të ri reformash dhe lufta ndaj korrupsionit nëpërmjet Komisionit të Posaçëm, duhet të ketë edhe përfshirjen e opozitës. Për Zërin e Amerikës, përfaqësuesit diplomatikë shprehen se mazhoranca ka hedhur hapa të nxituara në miratimin e rezolutës kundër korrupsionit dhe të Komisionit të Posaçëm pa u bashkërenduar me opozitën.

Ambasada e SHBA thekson se Komisioni i Posaçëm antikorrupsion duhet të veprojë duke zbatuar parimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë.

Ambasada e SHBA në Shqipëri : Theksojmë angazhimet e ndërmarra brenda masave të miratuara në Parlament për pathyeshmërinë e reformës në drejtësi, angazhime të cilat njohin shtyllat dhe parimet kushtetuese që janë në themel të reformës në drejtësi të miratuar në vitin 2016. Kjo përfshin pavarësinë dhe paanësinë e institucioneve të drejtësisë dhe vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë. Këto parime janë kyçe për punën e Komisionit të Posaçëm për të çuar përpara mirëqeverisjen, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri thotë për Zërin e Amerikës se është e rëndësishme transparenca dhe bashkëpunimi mes forcave politike për arritjen e qëllimit final te këtij komisioni.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri: Është me rëndësi jetike që procesi parlamentar i propozuar të jetë i bazuar në prova, të jetë transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, duke përfshirë edhe shoqërinë civile. Nisma duhet të bazohet në arritjet e mëparshme të reformës dhe të jetë në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit, me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit dhe me angazhimet në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Duhet të respektojë plotësisht marrëdhëniet ekzistuese mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura, siç garantohet nga Kushtetuta.

Komisioni i posaçëm antikorrupsion do të ketë një jetëgjatësi prej 10 muajsh. Ai do të jetë i përbërë nga 11 anëtarë, 5 prej të cilëve do të jenë të opozitës e cila ka bërë të qartë se nuk do të jetë pjesë e komisionit, për të cilin thotë se i shërben propagandës së qeverisë.

Klan News