Pas mbarimit të kontratës pilotin duan ta kenë shumë skuderi
Orë intensive te Mercedes. Skuderia britanike po përgatitet për detajet e fundit në prag të garës hapëse të Formula 1, ndërkohë që kjo nuk është çështja e vetme e nxehtë në shtëpinë e saj. Gjashtë herë kampioni i Botës, Lewis Hamilton është futur në vitin e fundit të kontratës dhe gjasat janë që martesa të zgjatet edhe për shumë vite të tjera.
Detajet nuk bëhen ende publike, por mediat aludojnë se britaniku do të pranonte të qëndroje në drejtimin e një Mercedesi në rast se do t’i ofroheshin 40 milionë dollarë në vit. Shifër mjaft e lartë kjo edhe për një skuderi lidere si Mercedes, që gjatë kësaj periudhe ka pësuar humbje të mëdha. Gjithsesi, të dy palët pretendojnë se janë të qetë për arritjen e një marrëveshje.
Në rast se akordi arrihet, Hamilton do të shndërrohej në sportistin më të paguar britanik dhe do të shtonte akoma dhe më shumë pasurinë e tij të vlerësuar rreth 224 milionë dollarësh. Interes për Hamilton kishte shfaqur edhe Ferrari, që e konsideronte 35-vjeçarin si partnerin ideal për Charles Leclerc. Megjithatë, firma me Carlos Sainz i zbehu shpresat që 6 herë kampioni i Botës të drejton “kokëkuqen” duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Klan Plus