Një gjykatë në Pakistan ka dënuar me vdekje një student 22-vjeçar, pasi ndaj tij rëndon akuza e blasfemisë nëpërmjet mesazheve nga WhatsAppi. Në seancën gjyqësore, u tha se i riu kishte shpërndarë foto dhe video me përmbajtje blasfemuese me qëllim zemërimin e ndjenjave fetare të myslimanëve.
Në vendimin e kësaj jave, gjykatësit thanë se 22-vjeçari u dënua me vdekje për përgatitjen e fotove dhe videove që përmbanin fjalë poshtëruese për Profetin Muhamed dhe gratë e tij. Paditësi kishte pretenduar se i kishte marrë videot dhe fotot nga tre numra të ndryshëm celularësh.
Ndërkohë, babai i të dënuarit me vdekje, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, tha për BBC News se do apelojë këtë vendim në Gjykatën e Lartë të Lahores.
Blasfemia dënohet me vdekje në Pakistan. Disa njerëz janë linçuar edhe para se rastet e tyre të dalin në gjyq. Ligjet kundër blasfemisë u kodifikuan fillimisht nga sundimtarët britanikë të Indisë dhe u zgjeruan në vitet 1980 nën qeverinë ushtarake të Pakistanit./tvklan.al