Microsoft vlerëson se 8.5 milionë kompjutera në mbarë botën dolën jashtë funksioni nga ndërprerja globale e IT. Sipas BBC, kjo është hera e parë që jepet një shifër për incidentin, i cili vijon të shkaktojë probleme në mbarë botën.

Defekti erdhi nga kompania e sigurisë kibernetike e quajtur CrowdStrike, e cila i dërgoi një përditësim të korruptuar të softuerit klientëve të saj të shumtë në numër.

Microsoft, që po ndihmon klientët për t’u rikthyer në normalitet, në një postim në blog tha: “Aktualisht vlerësojmë se përditësimi i CrowdStrike preku 8.5 milionë pajisje Windows”.

Sipas kompanisë, ky numër është më pak se 1% e të gjitha pajisjeve Windows në mbarë botën, por “ndikimet e gjera ekonomike dhe shoqërore tregojnë se CrowdStrike përdoret nga ndërmarrje që ofrojnë shumë shërbime kritike”.

Gjigandi i teknologjisë, që dëshironte të tregonte se ky nuk ishte një problem me softuerin e tij, thotë se incidenti thekson se sa e rëndësishme është që kompanitë si CrowdStrike të bëjnë kontrolle rigoroze të përditësimeve përpara se t’i dërgojnë ato.

Me numrin e dhënë këtë të shtunë nga Microsoft mund të thuhet se me gjasë ky është incidenti më i madh kibernetik i regjistruar deri më tani. Më i përafërt me të është sulmi kibernetik WannaCry në vitin 2017, i cili vlerësohet të ketë prekur rreth 300,000 kompjutera në 150 vende.

Ndërprerja masive ka bërë po ashtu që shumë ekspertë dhe agjenci të sigurisë kibernetike në mbarë botën të paralajmërojnë për sulme të mundshme nga hakerët, të cilët mund të shfrytëzojnë ndërprerjen e IT./tvklan.al