Polifenolet janë ‘hyrja’ më e re në fjalorin e shëndetit. Shkencëtarët kanë vite që i studiojnë, por së fundmi kjo fjalë ka ndezur interesin e përgjithshëm dhe jo pa arsye.
Sipas studimeve, një dietë e pasur me këto kimikate natyrale ka përfitime të mëdha shëndetësore sepse përmirëson shëndetin e zemrës dhe metabolizmin si dhe ul rrezikun e sëmundjeve degjenerative të trurit si Alzheimer.
Ka edhe disa kërkime që tregojnë se polifenolet mund të ngadalësojnë plakjen e lëkurës dhe të zvogëlojnë dhjamin në bel.
Polifenolet janë një grup fitonutrientësh, kimikate natyrale te bimët që i ndihmojnë të mbrohen nga insektet dhe rrezet ultravjollcë, por na mbrojnë edhe ne kur i konsumojmë.
Ato gjenden në përqendrim të lartë te frutat dhe perimet me ngjyra të errëta e të gjalla si panxhari, manaferrat, ullinjtë e zinj, domatet dhe jeshillëqet në ngjyrë të errët. Përveçse e mbrojnë bimët, fitonutrientët i japin edhe pigmentin e fortë. kjo vlen edhe për shijet e forta, nëse vaji i ullirit shkaktonkollë, ka më shumë polifenole. Çaji, kafeja dhe çokollata e zezë janë gjithashtu burime të shkëlqyera.
Ka mijëra lloje fitonutrientësh që ne nuk i njohim ende të gjitha si resveratroli në verën e kuqe, acidi elagjik te arrat dhe katekinet te çaji.
Testet kanë treguar se kanë funksione të ndryshme në shëndetin tonë. Flavanolet te kakaoja pakësojnë rrezikun e atakut dhe infarktit të zemrës. Katekinet në çajin jeshil ndihmojnë metabolizmin, në rënien në peshë dhe masën trupore ndërsa polifenolet e trëndafilit të egër ulin tensionin e gjakut.
Disa studime pasqyrojnë se polifenolet ndikojnë në uljen e rrezikut për t’u prekur nga sëmundjet kronike, rrisin qarkullimin e gjakut në tru dhe reduktojnë inflamacionin, ndaj mendohet se mund të ndihmojnë ndaj sëmundjeve neurodegjenerative.
Shëndeti i zorrëve është një nga pikat më të diskutuara momentalisht ndaj dhe kjo riktheu polifenolet në vëmendje.
Ekspertët thonë se më e mira është konsumimi i frutave, perimeve, bishtajoreve, drithërave, arrave, farave dhe erëzave për të marrë sasinë e duhur.
Erëzat janë burimi më i pasur sepse karafili përmban 16.000mg polifenole në 100g kurse kanella 9700 mg në 100g. Boronicat e egra thuhet se kanë prani të lartë, por në fakt përmbajnë 7 herë më pak sesa fasulet e zeza që kanë 4800 mg polifenole në 100g.
Polifenolet e ndihmojnë shëndetin tonë për shkak të ndërveprimit dhe shndërrimit të tyre nga bakteret e zorrëve tona që i përdorin për ushqim. Ato i zbërthejnë në metabolite më të vogla e të përthithshme për organizmin. Sigurisht, polifenolet nuk janë një përbërës magjik që shërojnë përfundimisht sëmundjet kronike, por mund të ndihmojnë në parandalimin e tyre./tvklan.al