Zemrat jo të shëndetshme mund të rregullohen duke përdorur “arna” të vogla të muskulit të zemrës të rritur në laborator, thuhet në një artikull të Nature.
Teknologjia mund të jetë shpresë për miliona njerëz me probleme të rënda të zemrës, metodat e kurimit të të cilëve janë të kufizuara, thonë shkencëtarët gjermanë.
Sipas rezultateve të para të një eksperimenti të vogël te njerëzit dhe disa analizave premtuese te majmunët, duket se “arnat” janë të sigurta për të ndihmuar zemrën që të pompojë.
Por potenciali afatgjatë i trajtimit është ende i panjohur sepse testi klinik te 15 pacientë është ende në zhvillim.
“Arnat” përftohen nga qelizat staminale të dikujt tjetër sepse këto qeliza mund të kthehen në tipe të ndryshme dhe më pas në qeliza të muskulit të zemrës. Kjo pjesë mund të vendoset te zemra dhe e ndihmon të rigjenerohet.
Është tentuar edhe me qelizat staminale të vetë pacientit, por ky proces kërkon shumë kohë dhe eksperimentet e mëparshme nuk kanë rezultuar shumë të suksesshme.
Në kraharor bëhet një prerje e vogël dhe “arna” qepet në sipërfaqen e zemrës.“Është e vështirë sepse lëvizin shumë dhe duhet të kesh kujdes që të ruajë formën”, shpjegon Ingo Kutschka, autor i studimit.
Një 46-vjeçare që kishte pësuar një atak kardiak në 2016, më pas përshkallëzoi në mosfunksionim të zemrës. Në vitin 2021, pas gjithë trajtimeve që kishte provuar, zgjodhi këtë metodë. Shkencëtarët thonë se gjendja e saj ishte e qëndrueshme dhe nuk pësoi efekte anësore nga implanti ndërsa tre muaj më vonë kreu transplantin e zemrës.
Copa e muskulit laboratorik mund “të përshtatej, rritej, maturohej dhe të ndihmonte zemrën e sëmurë”, tha prof. Wolfram-Hubertus Zimmermann. Rasti i saj tregon që muskuli i ri mund të vendoset te zemrat jo të shëndetshme “pa shqetësime për shëndetin, si tumoret dhe aritmia”.
Këto “arna” të prodhuara duhet të mbijetojnë te pacienti dhe të ushqehen për disa muaj kështu që nuk janë shumë të dobishme për ata që kanë nevojë për ndihmë urgjente.
Eksperimentet te majmunët treguan që “arnat” mund të ngushtonin, përforconin dhe trashnin murin e zemrës që si rezultat përmirësonte pompimin./tvklan.al