Emisioni “Stop” në Tv Klan i është drejtuar në lagjen “28 nëntori” në Vlorë për problemin e z. Armand Brahimaj dhe të vëllait të tij, që kanë blerë nga një apartament te Haki Kuteli. Pallati ka më shumë se një vit që banohet por vëllezërve Brahimaj u mohohet hyrja, pasi çelësat mbahen nga Roland Mezani i firmës që ka ndërtuar pallatin.
Apartamenti i Armandit është blerë te personi që kishte hyrjet për shkak të marrëdhënieve të kleringut. Ndërtuesi dhe ky i fundit kanë mosmarrëveshje që penalizojnë qytetarin që sot jeton me qira, ndërsa apartamenti i likuiduar rri i mbyllur. Firma që ka bërë pallatin është “2 g Construction”dhe kjo firmë ka nënkontraktuar kompaninë e Roland Mezanit dhe ky i fundit i ka dhënë me klering 6 apartmente “Kuteli shpk”.
Ndërtuesi pretendon se firma e kleringut ka bërë punë me vlerë 340 milionë lekë të vjetra dhe ka marrë hyrje për 420-430 milonë lekë.
Ndërtuesi: Firma, që i ka shitur hyrje atyre, ka probleme me mua, nuk kam gjë me çunat.
Gazetarja: Tani, në momentin që ju keni bërë kontratën e kalimit të të drejtave, në njëfarë mënyre jeni dakordësuar.
Ndërtuesi: Është sipas situacionit të punimeve.
Gazetarja: Çfarë punimesh ka lënë pa bërë Hakiu?
Ndërtuesi: Hakiu ka bërë punë për 340 milionë lekë të vjetra dhe ka marrë hyrje për 420-430. Kjo është e gjithë historia dhe i them, më kthe hyrjen, që më ke marrë dhe vazhdojmë me procesverbalet.
Gazetarja: Ça taksirati ka ai qëytetari i tretë që është mes jush, ky është problemi?
Ndërtuesi: Jo, s’ka taksirat ai. Do vemë në gjyq dhe ta zgjidhë gjyqi këtë problem, se s’kam pse zihem me njerëzit. E kam njoftuar zotin Haki 3-4 herë, ai vazhdon me të njëjtën histori. 2 hyrje janë lënë të lira që shpejt, janë mbajtur 4 apartamente për arsye se unë s’kam ku ta kap zotin Haki.
“Stop” shkon të takohet me “Kuteli shpk”.
Inxhinieri “Kuteli shpk”: I kam çuar shkresa pafund dhe të fundit e kam aty, që e ka refuzuar.
Gazetarja: Ai thotë, që Kuteli ka detyrime ndaj tij.
Inxhinieri “Kuteli shpk”: Ai ka detyrime ndaj nesh. I zgjidh gjykata këto. Në qoftë se ai pretendon për një apartament, tre të tjerat duhet t’i lirojë ai.
Gazetarja: Ju ndërkohë i keni shitur të gjashta?
Inxhinieri “Kuteli shpk”: Të gjashta janë shitur.
Gjithashtu u telefonua edhe Haki Kuteli.
Haki Kuteli: Ai thotë që puna që ke bërë ti nuk vlen kaq, kurse unë puna që kam bërë vlen kaq. I kam prerë faturat, janë të deklaruara në tatime.
Derisa çështja të zgjidhet në rrugë ligjore, Armand Brahimaj dhe familja e tij duhet të enden rrugëve./tvklan.al