Mjekja Klaudia Stajka në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan ndau për pubikun këshilla dhe informacione të vlefshme sa i takon ndërhyrjeve estetike, e aq më tepër atyre të rimodelimit të hundës.
Ajo tha se një pacient mund të bëjë rikorrigjim të hundës edhe nëse ka bërë ndërhyrje estetike më parë. Kjo gjë ndodh në rastet kur kemi probleme me pamjen ose me funksionin e hundës. Ndërhyrje të tilla rikorrigjuese sipas mjekes, janë të palimituara.
“Ka shumë pacientë të cilët mund të kenë kryer një rinoplastikë të mëparshme, ndoshta shumë vite më parë, kur teknikat nuk kanë qenë kaq të përparuara sa sot, ose kanë bërë një rinoplastikë dhe mund të ankohen për probleme funksionale. Pra nuk kanë probleme me pamjen, por me funksionin. Të gjitha këto mund të rikorrigjohen, për herë të dytë, për herë të tretë, nuk është se ka një limit të rinoplastikave korrigjuese. Por, duhet pasur kujdes që sa herë që të bëhet një ndërhyrje në hundë, hunda pëson një ndryshim, pëson një aderim të strukturave të veta, sidomos lëkura”, tha kirurgia Klaudia Stajka.
Edhe pse ndërhyrjet estetike për rikorrigjimin e hundës mund të bëhen pa një numër kufizuar, mjekja tha se duhet të bëhet kujdes edhe me këtë pjesë, të mos abuzohet. Sipas saj kirurgu duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe i sinqertë njëkohësisht sepse të tilla ndërhyrje të përsëritura janë më të vështira për pacientin.
“Ne mund të futemi për të bërë një rinoplastikë sa herë që të dëshirojmë, derisa të jemi të kënaqur me rezultatin që kemi. Por, kirurgu duhet të jetë shumë i sinqertë dhe i përgjegjshëm me pacientin dhe me veten, në mënyrë që të mos bëjmë më shumë dëme. Pra ato struktura që unë përmenda të mos dëmtohen më tepër, por pacienti të ketë më shumë përfitime. Kuptohet që sa herë që ne futemi në hundë shkalla e vështirësisë së ndërhyrjes është më e madhe, sepse nëse në një rinoplastikë të parë ne punojmë vetëm me kërcin që gjejmë brenda në hundë, në një rinoplastikë të dytë ose të tretë detyrohemi që të marrim grafitë kërcore sepse ai kërc nuk ndodhet më ose është përdorur nga një kirurgji e mëparshme. Prandaj për pacientin është pak më e vështirë sepse ose merret kërc nga veshi, ose nga brinja. Në botë ka banka të kërcit, të cilat janë kërce të rrezatuara dhe që përdoren për të rikonstruktuar hundën”, sqaroi mjekja./tvklan.al