Xhimi Begeja e ka nisur kompaninë e birrës “Puka” 16 vite më parë. Një “tironc i  luajtur mendsh që s’e ka kuptuar që ka luajtur mendsh” u shpreh ai  në fillim të bisedës në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Një  kompani e nisur nga pasioni, por ky s’është i vetmi fokus i Xhimit gjatë fjalës së tij.

Ai thotë se ndryshe nga pijet alkoolike të kolegëve, birra ka pësuar rënie. Prodhimi vendas mbizotërohet nga ai i huaj.

Xhimi Begeja: Po mbizotëron birra e importit shumë, është 37% e tregut sot, është prodhim vendas dhe 63% jashtë. Birrat artizanale janë birra  të cilat kanë përkujdesje dhe kosto të lartë. Në Shqipëri, të gjitha birrat janë shumë të mira.

Problematika që Begeja veçon është se politikat nuk përshtaten me prodhuesit për t’i ndihmuar.

Xhimi Begeja: Ajo që ne jemi tepër të zhgënjyer, është sepse unë kam një material të vogël, dua t’ju them vetëm diçka të gjithëve. Ky është prodhimi vendas me importin. Vendasi ka rënë, importi vazhdon  të jetë në rritje. Pse? Sepse ligjbërësit tanë nuk janë akoma me këmbë në tokë që të kuptojnë çfarë do të thotë të jesh prodhues.

Blendi Fevziu: Po ua le ligjvënësve tanë… a të ta bëj ndryshe pyetjen unë? Ndonjë nga ata ligjvënësit, nuk po marr ata 4-5 kryesorët, e merrje ti të punonte te birra? Jo se ta bënte birrën  gabim!

Xhimi Begeja: Të gjithë vijnë te Pazari dhe ma pijnë birrën, nuk po flas me emra!

Në bashkësinë e prodhuesve të birrës, disa prej të cilave Begeja i prezanton, kanë qenë 9. 2 prej tyre falimentuan dhe kanë mbetur 7. Ai thekson se akciza është problemi kryesor pasi është 3 herë më e lartë edhe se Gjermania.

Xhimi Begeja: Të shkojë akciza 3 herë më shumë sesa Gjermania, sesa gjithë vendet? Thjesht për një formulë, thjesht për një kapriço? Kjo është poshtërsi!

Begeja thotë se nuk kërkon subvencione a ndihma të tjera financiare, por vetëm akcizën sepse lënda e parë në Shqipëri, edhe pse është e mundur të sigurohet, duhet të merret nga jashtë.

Xhimi Begeja: Birra prodhohet nga malto elbi. Të gjithë ne prodhimi vendas marrim malto nga Çekia, nga Gjermania. Lupolën e kemi nga Gjermania, majanë unë e marr nga Hollanda, Danimarka, vetëm ujin kam të Pukës unë. Fushat tona, elbi shitet për kafshët dhe tokat tona mos të mbillen për birrën? Ne kemi qenë shumë largpamës, kemi bërë një malteri në Maliq që të shikonim gjithë fushat tona të Maliqit, Leskovikut, Ersekës se ka një tokë të shkëlqyer për këtë. Ka sot e 20 vjet, ajo jo që është rrënuar, njerëzit që kanë investuar aty, nuk dua të përmend emra, por nga marazi kanë ndërruar jetë, më vjen shumë keq dhe pse ndodh kjo? Nga politika e shtrembër në bujqësi!/tvklan.al