Në 19 shkurt të këtij viti emisioni “Stop” në Tv Klan solli në vëmendje një rast në Lushnje. Bexhet Vrapi tregoi se kunati i tij, që jeton në Amerikë, 10 vjet më parë është lidhur me avokaten Klotilda Kola e cila i mori 18 mijë dollarë duke i premtuar se do të fitonte pronën me gjyq.
Por, gjyqi caktoi disa bashkëpronarë dhe avokatja tani duhet t’i kthejë lekët. Prej një viti e gjysmë Bexheti thotë se nuk po mundet të marrë paratë. Vetë avokatja shprehet se paratë do t’ia kthejë më 21 shkurt. Sipas saj, lekët janë marrë nga një gjyqtar që iku nga sistemi për shkak të vettingut.
Pas transmetimit të rastit, Bexheti tregon se avokatja Klotilda Kola e ka telefonuar dhe i ka dhënë një pjesë të parave, duke i premtuar që pjesën e mbetur, rreth 7 milionë lekë, t’ia japë në fund të muajit mars.
Bexhet Vrapi, denoncues: Ajo më ofroi mua, më mori në telefon dhe më tha: “do të të jap 5 milionë në datën 21”, siç m’i dha dhe “pjesën tjetër prej 7 milionë e gjysmë, në mars”. 3 milionë e gjysmë i kisha marrë më përpara, 5 milionë m’i dha, shkojnë 8 milionë e gjysmë, 7 e gjysmë më 20 mars.
Gazetari: Pra megjithëse ajo tha edhe në syrin tonë që do t’i kthente paratë në datën 21 shkurt, ka kthyer vetëm një pjesë të paktën?
Bexhet Vrapi, denoncues: Një pjesë, 5 milionë. Nuk e mbajti premtimin për t’i dhënë të gjitha.
Gazetari: Keni shpresë se pjesën tjetër do t’ua kthejë të plotë në datën e caktuar?
Bexhet Vrapi, denoncues: Them se po, ajo u zotua “do të t’i jap” tha./tvklan.al