Ivan Hashek është i kënaqur që skuadra e tij fitoi kundër Shqipërisë dhe për herë të parë e mbajti portën e paprekur që kur ai u ul në stol. Trajneri i Çekisë u shpreh se kundër kuqezinjve nuk ishte një sfidë e lehtë, ndërsa theksoi se në Grupin B1 ka balancim, e duhet përqendrim deri në fund.
“Jam i kënaqur pasi e kontrolluam takimin. Nuk ishte e lehtë, pasi kundërshtari ka cilësi. Shqipëria ka lojtarë të mirë në mbrojtje, të cilët mund të dalin shumë shpejt në kundërsulm. Fituam këtë takim falë intensitetit të lojës që zhvilluam. Kemi ushtruar presion, kemi luftuar për top në ajër dhe kemi qenë aktive gjatë lojës. Do të luftohet deri në fund, grupi është i balancuar”.
Mbrojtësi Jan Bořil u rikthye në kombëtare pas tri vitesh me fitoren kundër kuqezinjve. Lojtari 33-vjeçar tha se kjo fitore nuk ishte e lehtë për t’u arritur.
“Ne mundëm një kundërshtar të fortë! E dinim se ata kishin lojtarë të zotë nga krahët, të rrezikshëm dhe të shpejtë. Por sot nuk u lejuam asgjë! Pamë videot dhe u përgatitëm mirë. Shqipëria pati vetëm një goditje në portë!
Çekia do të luajë të hënën ndaj Ukrainës në Poloni. Në shtator, ata e fituan përballjen në shtëpi me rezultatin 3-2. Përfaqësuesja çeke shkon në kuotën e 6 pikëve, po aq sa edhe Gjeorgjia, e renditur e para ne Grupin B1.
Klan News