Çmenduri për mënyrën si ndodhi, mund të cilësohet barazimi spektakolar 3-3 mes Bolonjës dhe Juventusit. Një 90 minutësh që prodhoi gjashtë gola mes dy skuadrave që kanë prerë tashmë biletën për në Champions League e sezonit të ardhshëm. Nga një leksion i mundshëm futbolli prej Bolonjës, bardhezinjtë arritën të reagonin dhe të barazonin llogaritë në takimin debutues të Montero.
Skuadra e Thiago Motës po udhëhiqte 3-0, duke dominuar totalisht mbi kundërshtarin. Ekipi nga Emilia Romanja gjeti shumë shpejt rrugën drejt rrjetës, për të thyer Juventusin që duket se nuk po gjente busullën. Por, ndërhyrjet nga stoli të Montero arritën që të ishin efikase.
Milik dhe Yildiz iu bashkuan golit të Kieza për të rrëmbyer një pikë me vlera renditje. Për herë të parë në fushë u rikthye Faxholi, i pezulluar nga Federata italiane për shkak të përfshirjes në skandalin e basteve. Juventus zgjat ecurinë e pamposhtur në ‘Dall’Ara’ në 23 ndeshje pa humbje, për tu konfirmuar një makth në transfertën e Bolonjës.
Gjithashtu, torinezët shmangën humbjen në kampionat për herë të parë teksa kishte pësuar tre gola, çka tregon shumë për karakterin e kësaj skuadre. Në fund një pikë që vlen vetëm për statistikë për dy ekipet, pasi ndajnë vendin e tretë dhe të katërt me pikë të barabarta. Gara për pozicionin e tretë shtyhet për në ditën e fundit, me Juventusin që sfidon Monzën, ndërsa Bolonja kundër Xhenoas.
Klan News