#NëKurthinePiterPan | Talent-show me fëmijët “me të zgjuar”, gazetarët e të ardhmes dhe të ftuar speciale VIP. Një format “i ngrohtë”, i këndshëm, me shumë batuta humori, me fëmijë talente që nuk i keni parë kurrë më parë në TV shqiptare! Një gjë është e sigurtë: Ata nuk janë të turpshëm! Një format nga #VeraGrabocka & #AlketaVejsiu çdo të premte 21:00 në #TvKlan.

Plot emocion! Ikona e kinematografisë, Margarita Xhepa interpreton poemën “Bagëti e Bujqësi”

Ylli i kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, ka rrëqethur të gjithë publikun me interpretimin e vargjeve të të madhit Naim Frashëri, poemën “Bagëti e Bujqësi” në studion e emisionit “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan. Artistja e madhe, Xhepa ka thënë se është ngjitur për herë të parë në skenë me këtë poemë, me recitimin e së cilës na emocionoi të gjithëve.

Alketa Vejsiu: Shumë shkrimtarë dhe poetë kanë pasur nderin që ata që kanë shkruar, t’i kenë parë të interpretuara prej jush. Më sill diçka të bukur të lutem për këta fëmijë.

Margarita Xhepa: Unë ngjitur në skenë për herë të parë me poezi, atë të poetit të madh Naim Frashëri “Bagëti e Bujqësi” dhe tani e mbaj mend akoma:

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Ti Shqipëri, më jep nderë, më jep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.
Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.

Alketa Vejsiu: A ju ka dhënë Shqipëria ju atë që ju meritoni?

Margarita Xhepa: Besoj se po. Na ka nderuar, dekoruar me çmime të larta, faleminderit shumë.

“Më ka mbajtur gjallë”, Margarita Xhepa tregon sekretin e bukurisë dhe të jetëgjatësisë

Artistja e madhe shqiptare Margarita Xhepa është një nga aktoret ikonë të kinematografisë shqiptare. Sot ajo është 90 vjeç, por njëkohësisht ruan elegancën dhe bukurinë.

Margarita Xhepa ka qenë sonte e ftuar në spektaklin “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan.

Artistja ka treguar sekretin e bukurisë dhe jetëgjatësisë së saj.

“Deri sa rroka njeriu kaq gjatë, unë them nga lodhja e madhe? Nga durimi i madh? Sepse njeriu në jetë kalon hidhërime, gëzime, ato gërshetohen, jeta kështu është, edhe gëzime edhe hidhërime. Por ama puna qenka gjë e madhe, lëvizja është jetë. Puna e bërë me dashuri, me pasion. Ajo më ka mbajtur gjallë, edhe jeta e rregullt. Unë nuk kam pirë kurrë cigare, edhe pijet nuk më pëlqejnë, kam bërë jetë të rregullt, asgjë tjetër”, u shpreh Margarita Xhepa.

E ëma e la në moshën 9-vjeçare, Margarita Xhepa zhytet në kujtime: Modeli i saj ka qenë pasuri

Ikona e kinematografisë dhe legjenda e artit shqiptar, Margarita Xhepa është sonte e ftuar “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan. Është plot  90 vjeçe dhe thinjat i tregojnë fisnikërinë, rrudhat tregojnë se pas tyre ka një histori jetësore me shumë ngjyra e rrëfime.

Një prej ngjarjeve që ka shenjuar jetën e aktores ishte humbja e nënës kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe. Nëna e Margarita Xhepës u sëmur nga tuberkulozi dhe ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare duke lënë pas 4 fëmijë. Në rrëfimin e saj, aktorja nuk zhytet te dhimbja, por te kujtimet e nënës dhe mësimet që arriti të merrte prej saj në mënyrë krejt të natyrshme duke i ruajtur si diçka të çmuar.

Margarita Xhepa: Uroj që të gjithë fëmijët o Zot të rriten me nënë e baba se babai është shtylla e shtëpisë, është autoriteti, është rëndësia por nëna është kryesorja se atë që bën nëna nuk e bën kush,  harron veten për fëmijët, për të tjerët. Më la shpejt dhe të jesh pa nënë, jetim ishte shumë e dhimbshme. Por ama modeli i nënës time se isha 9 vjeçe, mua më mbeti në mendje, në shpirt, në zemër dhe e kam patur si një pasuri sepse ishte një nënë model nga çdo pikëpamje, të punës, të mendimit, të pastërtisë, të rregullit. Kur u bëra 5-6 vjeçe si ju, kur shkoja në shtëpitë e të tjerëve, pastaj vija e shtëpia ime dhe krahasoja; më dukej shtëpia ime më e bukur, pse, se nëna qëndiste, ishte rrobaqepëse dhe të gjitha në shtëpi i kishte të qëndisura, jo vetëm mbulesën e tavolinës, jo vetëm jastëkë, jo vetëm kortikat, por çdo gjë, edhe atë që fshinte lugët e qëndiste. M’u duk shtëpia jonë shumë e bukur me ato qëndisjet, me perdet e qëndisura me lule, të rëna si zambakë. Ishte ai model i nënës time që e donte punën, që donte njerëzit, që ishte e dashur, e thjeshtë, komunikonte me gjithë lagjen, ato marrëdhëniet njerëzore, respekt njerëzor ishte kaq i bukur. Ajo nuk m’i diktoi, as m’i tha njeri por unë duke u rritur i mora dhe i bëra të miat dhe ato më kanë udhëhequr gjatë gjithë jetës time dhe faleminderit o nëna ime, sa e mirë ishe! Të gjitha nënat janë të mira, por mua më duket nëna ime më e mira.

Xhepa kujton edhe shtëpinë në Lushnje e cila ishte e vetmja ndërtesë e bardhë që dallonte nga të tjerat.

Margarita Xhepa: Vinte nga Berati dhe në Berat e kanë rregullin dhe pastërtinë të madhe. Ajo, kur erdhi nuse, pas 2-3  ditësh filloi, doli në oborr dhe leu me gëlqere gjithë parvazet e shkallëve, u zbardhuan, pastaj saksitë, u zbardhuan edhe saksitë, pastaj trupat e pemëve dhe rruga u bë e bardhë sikur e bardhë ishte edhe në shtëpi, por ashtu ishte edhe në shtëpi. Prandaj më ka mbetur model sepse me të vërtetë siç ishte e bardhë, ashtu e bëri të bardhë edhe shtëpinë e vet dhe ne na rriti me atë edukatë, ta duam punën dhe e ndieja që ato komshiet e donin dhe respektonin shumë.

“Nëna e dytë që erdhi ishte shumë fisnike”, Xhepa rrëfen jetën pas humbjes së mamasë: U bëmë 10 fëmijë

“Edhe nëna e dytë që erdhi ishte shumë fisnike”, kështu rrëfehet e madhja Margarita Xhepa teksa tregon historinë e jetës së saj. E ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, artistja Xhepa ka treguar se nëna e saj i ka ndërruar jetë në moshë të re duke lënë pas 4 fëmijë. Mes emocioneve të forta dhe shumë të bukura, Xhepa ka treguar se është rritur me një dashuri të jashtëzakonshme.

Alketa Vejsiu: Jeta dhe familja na vendosin para fateve dhe ndonjëherë ne jemi të papërgatitur për atë që jeta na sjellë dhe më vjen mirë kur dëgjon histori nga kjo që do të dëgjoni dhe ju nga vetë Margarita se si civilizimi në fakt është këtu në shpirtin e njeriut më shumë se në kohët në të cilat shoqëria kalon. Pasi humbi nënën, babai i saj, një burrë i jashtëzakonshëm që e donte shumë familjen, për të rritur 4 fëmijë, mendoi të rimartohej me një grua, e cila dhe ajo nga një fatkeqësi kishte humbur bashkëshortin në luftë, 3 fëmijë të tjerë. Lindën 3 fëmijë të tjerë dhe jetuan 10 fëmijë të lumtur nga një baba që bënte çfarëdolloj pune për t’i rritur. Ajo grua u përpoq që t’i jepte me çdo kush dashurinë njësoj si të 10 fëmijëve.

Margarita Xhepa: Me të vërtetë nëna ime shumë e mirë, por edhe kjo nëna e dytë që erdhi dhe kjo ishte shumë fisnike sepse vinte nga një familje shumë e mirë. Ajo solli 3 fëmijë, na gjeti dhe ne 4, bëni dhe 3 me babën sepse ishin të rinj të dy dhe u bëmë 10, por me një dashuri të jashtëzakonshme, atëherë dhe tani. Sikur ishim me një nënë e me një baba. E kemi ndihmuar njëri-tjetrin, e kemi dashur njëri-tjetrin, jemi bërë merak për njëri-tjetrin. Kryesorja për njeriun është dashuria, ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të jemi afër njëri-tjetrit në gëzime, në hidhërime. Marrëdhëniet njerëzore janë kryesorja në jetë.

I bashkoi arti dhe ndërtuan jetën së bashku, dashuria e madhe e Margarita Xhepës

Në jetën e Margarita Xhepës, figurës legjendare të kinematografisë shqiptare, ka ekzistuar një dashuri e madhe: Xhaviti. Ai gjithashtu aktor, por në Teatrin e Kukullave e megjithatë i bashkoi arti zemrat dhe qeniet e tyre. Në intervistën “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan,  Margarita Xhepa përkufizon jetën me bashkëshortin e saj dhe raportin e veçantë mes tyre.

Margarita Xhepa: Në radhë të parë ishim artistë të dy, edhe ai ishte artist, edhe unë, na bashkoi arti.  Vija re tek ai njeri që të parën kishte qytetari, kishte fisnikëri sepse vinte nga një familje fisnikësh, nga një familje me emër të mirë. Kjo ka të bëjë shumë sepse fëmijët kryesorja  janë familja, edukata që marrin. Pikërisht mençuria, dëshira për artin na bashkoi. Ai e donte shumë artin, por edhe unë e doja. Të dy punonim, sugjeronim me njëri-tjetrin, ndihmonim njëri-tjetrin. Ka qenë gjë shumë e bukur.

Profesioni i përbashkët ndikonte në mirëkuptimin mes tyre. Pavarësisht roleve, kontakteve me njerëz të tjerë, asnjëri nuk bëhej xheloz për tjetrin sepse e dinin që dashuria e vërtetë ishte ndryshe, pikërisht ajo që mbanin në zemrat e tyre.

Margarita Xhepa: As na ka shkuar ndërmend sepse edhe ai ishte artist, kishte partnerët e vet, edhe unë, në asnjë mënyrë sepse ajo është një truk fundi i fundit në art që bëjmë, kurse dashuria e vërtetë shprehet ndryshe, por truket që përdorim në film dhe role janë tjetër gjë dhe ne e kuptonim mirë njëri-tjetrin.

Kur aktorja ishte 52 vjeçe, Xhaviti u nda nga kjo botë dhe kjo e bëri Margarita Xhepën t’i përkushtohej plotësisht tre djemve, krenarisë së tyre më të madhe.

Margarita Xhepa: Tre djem, njëri më i mirë se tjetri e kjo ka qenë dashuri e madhe sepse bashkë me Xhavitin i kemi rritur këta tre djem dhe më vjen mirë që morën diçka por më tepër kanë marrë nga babai i tyre se sa nga unë, kështu them unë kështu që na u bënë të mirë dhe kjo është krenaria e prindërve. Dolën në jetë për veten e tyre, për neve që na kanë dhënë kënaqësi, por edhe për shoqërinë, për punët që bënin.

Margarita Xhepa: Ndriçimi është më i mirë se nëna e tij

Ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa ka treguar se si biri, artisti i mirënjohur, Ndriçim Xhepa zgjodhi rrugën e artit që kur ishte adoleshent.

E ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, Margarita Xhepa është shprehur se Ndriçim Xhepa e ka zgjedhur vetë karrierën artistike pasi ka pasur talent, teksa thotë se “ai është më i mirë se nëna e tij”.  

Mabel: Djali juaj, nga ju është bërë aktor?

Margarita XhepaNe si prindër nuk na shkoi ndërmend ta bënim artist sepse e dimë që puna e artistit është me emocionin dhe nuk donim, por ai doli vetëm sepse atëherë gjimnazet e Tiranës bënin festival dhe ai mori rol aty në “Qemal Stafa” dhe mori dhe çmim, ka marrë dy çmime dhe ashtu shkoi dhe në Akademinë e Arteve, vetë shkoi dhe vetë fitoi dhe as nuk ndërhyra fare. Tek kjo puna jonë nuk ndërhyhet, nëse nuk ke talent. Ai fitoi vetë dhe është më i mirë se nëna e vet.

Mabel: Kush është aktori më i mirë nga ju, Ndriçimi apo Margarita?

Margarita Xhepa: Ndriçimi është më i mirë.

Margarita Xhepa kritika për skenaret e filmave të sotëm: Lënë për të dëshiruar, nuk trajtojnë problemet sociale

Ikona e kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa ka disa kritika për kinemanë e ditëve të sotme. Aktorja 90-vjeçarja i konsideron të dobëta skenaret e filmave të sotëm, teksa kërkon më shumë që në filmat e sotëm të përfshihen problemet sociale.

E ftuar në spektaklin “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, Margarita Xhepa thekson se në ditët e sotme ka më shumë ngjarje, por ndërkohë filmat janë bosh dhe pa thelb.

Çfarë mendimi ke për skenaret e filmave sot?

Margarita Xhepa: Është për të dëshiruar sepse në atë kohë jo vetëm që janë dhënë drama në teatër, por janë luajtur dhe filma sepse janë marrë nga historia, janë thëniet e popullit, nga lufta por dhe probleme sociale, dhe janë bërë filma të mirë duhet ta pranojmë këtë. Tani nuk ka skenare, që tani kemi dhe ngjarje më shumë. Një film për djalin që ka ikur emigracion dhe prindin që ka lënë vetëm, malli, dashuria, kujdesia, mendja që ju rri prindërve aty. Janë probleme të tjera, papunësia e shumë të tjera.

“Vajzës i them je garipja e babit”, ç’po u mëson fëmijëve të tij Blendi Salaj?

Një gazetar i vendosur përpara pyetjeve të 10 gazetarëve të vegjël që e futën “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan. Nga karriera shumëvjeçare, fillimet e vështira, të qenët nxënës i përjetshëm e deri te prindërimi, Blendi Salaj tregoi shumë prej copëzave të personalitetit të tij.

Një prej temave që u ndal biseda ishte edhe rritja e fëmijëve. Ai është baba i një djali 13 vjeç dhe një vajze 5 vjeçe dhe edukimi për të dy ndryshon. Blendi tregon vlerat që po përpiqet t’i mësojë secilit, por vajza, si pika e dobët për babain, duket se ka nevojë vetëm për një fjali.

Blendi Salaj: Unë atij mundohem t’i them të jetë i drejtë, të jetë i fortë, të jetë i matur dhe i guximshëm. Nuk dua as të marrë nëpër këmbë, nuk dua as ta marrë njeri nëpër këmbë, nuk dua as që të jetë i trembur nga diçka dhe nuk dua që të jetë i padrejtë. Dua që të jetë një burrë me kuptimin e vërtetë të fjalës.

Alketa Vejsiu: Po vajzës çfarë i thua?

Blendi Salaj: Vajzës i them ti je garipja e babit. Ajo është në fakt, është shumë e fortë.

Alketa Vejsiu: Si të thotë vajza, do martohem me ty apo jo?

Blendi Salaj: Do të martohet me mua, po.

Alketa Vejsiu: Dhe ti çfarë i thua, me kë duhet të martohet vajza jote në fakt?

Blendi Salaj: Unë jam i hapur, po e mendoj.

Blendi Salaj do të kishte marrë “një kredi të jashtëzakonshme” për këtë kauzë

Gazetari Blendi Salaj thotë se nëse ai do të ishte në drejtimin e gjërave në vend, do të kishte marrë një kredi të jashtëzakonshme dhe do ta kishte hedhur atë në arsim për të prodhuar një brez të shkëlqyer të arsimuar.

I ftuar në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, Salaj shprehet se arsimimi është e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe se Shqipëria ka shumë nevojë që të rregullojë këtë sektor ku mbështetet e ardhmja e kombit.

Alketa Vejsiu: Cila është një kauzë për të cilën ti ke dëshirë për ta ngritur zërin për rininë shqiptare?

Blendi Salaj: Unë mendoj se arsimi është një kauzë e jashtëzakonshme. Nëse unë do të isha në drejtimin e gjërave, unë do të kisha marrë për Shqipërinë një kredi të jashtëzakonshme dhe do ta kisha hedhur atë në arsim dhe do të prodhoja një brez të shkëlqyer të arsimuar që do ta paguante atë kredinë shumë më kollaj me vlerat që do të prodhonte më vonë. Mendoj që siç çdo familje shqiptare që kemi investuar për t’i shkolluar fëmijët, mendoj se arsimimi është e vetmja mënyrë. Shqipëria ka shumë nevojë që të rregullojë arsimimin. Vetëm kjo do të na çojë përpara.

/tvklan.al