Kur Donald Trump urdhëroi qeverinë amerikane që të ndalonte aplikacionin kinez mjaft të popullarizuar, TikTok në vitin 2020, ai u bazua në faktin se ky ndalim ishte i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë kombëtare.

Po sot 4 vite më pas, cili është qëndrimi i Trump për TikTok? Tani në statusin e Presidentit të rizgjedhur të SHBA, Trump po kërkon të mbrojë TikTok nga “kthetrat” e Gjykatës së Lartë. “Ne do të vendosim masa për të mbrojtur TikTok që mos ndalohet”, kështu është shprehur në një dalje publike për mediat e huaja këshilltari i ardhshëm i Trump.

Vendimi i Gjykatës së Lartë i ka dhënë kohë deri ditën e dielë, pra deri më 19 Janar, kompanisë “mëmë’ të TikTok, ByteDance që të shesë aplikacionin te një blerës amerikan, ose në të kundërt do të ketë një ndalim të prerë të tij.

Presidenti Joe Biden, të cilit i kanë mbetur vetëm 3 ditë nga mandati i tij, ka kërkuar që ByteDance t’i jepet më shumë kohë për shitjen e aplikacionit.

Colin Costello, një avokat amerikan tha se “zhdukja” e TikTok mund të pezullohet nëse krijohet një kontratë e thjeshtë, me një kohë të përcaktuar mes ByteDance dhe kompanisë amerikane që pretendon të blejë aplikacionin. Megjithëse një marrëveshje e tillë nuk duket në horizont. Sa më shpejt afrohet afati përfundimtar i mbylljes së TikTok, aq më tepër duket e pabesueshme si gjë. Megjithëse shpresat  e fundit duket se janë në dorë të Donald Trump.

Trump mund të bëhet “kreativ”!

Trump mund të lëshojë një urdhër ekzekutiv, duke thirrur aktin gjithëpërfshirës ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencave dhe të pretendojë se mbajtja e TikTok është e dobishme për sigurinë kombëtare. Ai mund të argumentojë, se mbyllja e TikTok do të shtyjë përdoruesit amerikanë drejt një platforme alternative, siç është aplikacioni kinez RedNote, i cili ndoshta mund të jetë më i rrezikshëm se sa TikTok.

Gjithçka në duart e Gjykatës së Lartë!

Rruga më e qetë për një shpëtim të TikTok do të ishte që Gjykata e Lartë të lëshonte një pezullim në padinë që aplikacioni ka ngritur kundër qeverisë, duke lejuar administratën e ardhshme të Trump të bëjë një argument të ri në gjykatë për mos mbylljen e TikTok. Por koha është e shkurtër. Gjykata ka vetëm një ditë pune nga sot deri të dielën, kur hyn në fuqi urdhri i ligjit për shitjen./tvklan.al