Teksa pritet që TikTok të mbyllet edhe në SHBA brenda një jave, miliona përdorues po tentojnë të gjejnë një “shteg” të ri e të ngjashëm me platformën. E në fakt, paska një të tillë! Bëhet fjalë për Red Note, që ndryshe quhet “Xiaohongshu” e që nga vetë emri e kuptojmë se është rrjet kinez.
Mësohet se qindra mijëra amerikanë janë aksesuar në “Red Note” këto ditë, duke e bërë aplikacionin më të shkarkuar në App Store. Në vend të dytë qëndron Lemon8, një tjetër platformë e krijuesit të TikTok.
Duket se politikat e ndërrmara në vende të ndryshme për kufizimin e TikTok apo “zhdukjen” përfundimtare të tij, nuk do kenë ndonjë efekt. Kjo pasi njerëzit i duan platforma të tilla dhe u pëlqen të ndërveprojnë përmes videove të shkurtra (reels).
Red Note u krijua në 2013-ën si një “guidë online”. Sot numëron mbi 300 milion përdorues dhe është i mbushur me influencera e njerëz që promovojnë bizneset e tyre. Në TikTok po postohen intensivisht video në formë thirrjeje “për t’ju bashkohuar Red Note“.
Megjithatë, ka nga ata që besojnë se Red Note nuk do ‘mbijetojë’ gjatë, pasi videot do censurohen shumë shpejt. Nuk e dimë sa e mundur do jetë kjo, por edhe në rast se Red Note nuk ia del me sukses, njerëzit do e gjejnë sërish zgjidhjen!
/tvklan.al